Basketbollistja amerikane e burgosur nga rusët apelon, nisin bisedimet për shkëmbimin me “Zotin e Luftës”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2022 | 21:48

Basketbollistja amerikane e burgosur nga rusët apelon, nisin bisedimet për shkëmbimin me “Zotin e Luftës”

Basketbollistja amerikane Britnei Griner, e arrestuar në Rusi si pasojë e mbajtjes së substancave narkotike dhe e dënuar me 9 vite burg në shkallën e parë, ka apeluar vendimin. Ekipi ligjor që po mbron basketbollisten e përfaqësueses së SHBA, ka bërë të ditur se ka nënshkruar dokumentacionin për apelimin e vendimit që u dha nga gjykata e Moskës.

griner bout

Avokatët e Griner kërkojnë që të përshpejtojnë apelimin, i cili mund të zgjatë rreth 3 muaj. Arsyeja është sepse vetëm përfundimi i të gjitha shkallëve të gjykimit në Rusi, mund t’i hapë rrugë pastaj ndërhyrjeve diplomatike për zgjidhej e kësaj çështje.

Zgjidhja diplomatike do të ishte vetëm shkëmbimi i Griner me të burgosur rusë që mbahen në burgjet e SHBA. Diplomatët rusë kanë bërë të qartë se janë të hapur ndaj kësaj hipoteze dhe se duan që të bëjnë bisedimet të cilat do të përfshinin një emër shumë të bujshëm.

Griner, si dhe Pol Uilan, një ish-marins i arrestuar dhe burgosur në Moskë me akuzën e spiunazhit, pritet që të shkëmbehen me Viktor Bout. Ky i fundit është një tregtar ndërkombëtar armësh, i cili njihet me nofkën “Zoti i Luftës”, pasi ka bërë tregti në çdo cep të globit ku kishte konflikte gjatë viteve ’90-’00 derisa u vu në pranga dhe u burgos nga autoritetet amerikane. Rusia kërkon prej vitesh lirimin e tij dhe tashëm ka një as nën mëngë falë arrestimit dhe dënimit të Griner.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"