“Basketbolli po shkatërrohet”, edhe Hysenagolli largohet nga Shqipëria. Kalon në Kosovë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2020 | 19:21

“Basketbolli po shkatërrohet”, edhe Hysenagolli largohet nga Shqipëria. Kalon në Kosovë

Vijon eksodi i basketbollistëve shqiptarë që emigrojnë në Kosovë për ta vijuar karrierën, për shkak se në vendin tonë aktivitetet sportive qëndrojnë të bllokuara nga qeveria. Këtë herë është Endrit Hysenagolli ai që braktis Superligën për t’iu bashkuar kampionatit kosovar. Qendra e ekipit tonë kombëtar, i cili vetëm disa muaj më parë kishte kaluar në radhët e Goga Basket, nuk arriti që ta veshë në asnjë ndeshje fanellën e skuadrës private nga Durrësi.

endrit hysenagolliii

Tashmë shtatlarti është transferuar për një sezon te Bashkimi i Prizrenit, skuadër me të cilën ka luajtur edhe vite më parë. I kontaktuar nga gazeta “Panorama Sport”, Hysenagolli flet për ekipin e tij më të ri, teksa duket i lumtur që më në fund do të ketë mundësinë për të zbritur në parket: “Më vjen shumë mirë që rikthehem në Kosovë. Zgjodha Bashkimin sepse e kisha deklaruar edhe para shumë vitesh kur u largova nga Prizreni, që unë kthehem në Kosovë vetëm për këtë skuadër”, thotë ish-lojtari i Tiranës dhe i Teutës.

Hysenagolli më tej komenton edhe ndalimin e sportit në Shqipëri, teksa thekson se kjo gjë do të ketë pasoja të mëdha për basketbollin: “Bllokimi i aktiviteteve është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhte këtij sporti. Kjo situatë do të na kthejë shumë vite mbrapa, ndërsa nga ky vendim po digjen basketbollistët, të cilët kanë rreth një vit pa luajtur”. 32-vjeçari në fund ka edhe një apel për Federatën Shqiptare të Basketbollit: “FSHB duhet të ushtrojë vazhdimisht presion ndaj ministrisë sepse po e shkatërrojnë basketbollin pa arsye, duke qenë se në të gjithë botën po luhet. Është vërtet e pakuptimtë, kur shikon kafenetë hapur, ndërsa sallat sportive mbeten të ndaluara. Duhet të marrin shembull shtetet fqinje, duke nisur që nga Kosova, Mali i Zi, apo Maqedoni e Veriut, të cilat po luajnë normalisht, ndërsa në Shqipëri nuk lejohet”, përfundoi gjiganti kryeqytetas, i cili është një prej lojtarëve më të mirë shqiptarë të viteve të fundit. Hysenagolli do të gjejë te skuadra e Bashkimit një tjetër lojtar të Superligës, pasi disa javë më për në Prizren është transferuar edhe Julian Hamati. Gjithashtu, kampionatit kosovar i janë bashkuar lojtarë si Daniel Lekndreaj, Robert Shestani apo Klein Strazmiri.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"