Basketbolli në zi, ndahet nga jeta Vangjush (Lad) Dalta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 5, 2021 | 21:10

Basketbolli në zi, ndahet nga jeta Vangjush (Lad) Dalta

COVID i ka marrë jetën në moshën 69-vjeçare një tjetër sportisti të njohur, basketbollistit Vangjush (Lad) Dalta. Vetëm ditë më parë, i goditur rëndë nga ky virus vdekjeprurës, Dalta nuk ka mundur t’i rezistojë, duke u ndarë papritur nga jeta.

21212

Ish-basketbollist i të rinjve të Partizanit, pastaj me ekipin e parë dhe në vitet 70-të transferohet tek 17 Nëntori. Lojtar aktiv i asaj skuadre kampione, përkrah Shehut, Shakës, Lëvonjës, Topallit, Avramit, Kolekës, Shkurtit, etj. Protagonist në mjaft sfida, kryesisht ato derbi. Lojtar qendre, i fortë, fjalëpakë, korrekt dhe shumë serioz. Pas diplomimit transferohet në Elbasan, si inxhinier mekanik në Metalurgji, ku punoi për disa vite.

Njëkohësisht angazhohet edhe si lojtar formacioni i pesëshes së djemve të “Labinotit”. Pastaj rikthimi në Tiranë, shkëputja me basketbollin, për të vijuar me profesionin e tij, si drejtues në disa institucione të rëndësishme. Me ndarjen nga jeta të Lad Daltës, komuniteti i basketbollit, familja, miq e shokë, humbën një sportist shembullor, një familjar model dhe një shok e mik të mirë. “Panorama Sport” i shpreh ngushëllime familjes për humbjen e njeriut të shtrenjtë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"