BASKETBOLL/ Ylli kundër Pejës, Liga Unike mëson ekipet finaliste (SKEDAT DHE REZULTATET)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2022 | 10:11

BASKETBOLL/ Ylli kundër Pejës, Liga Unike mëson ekipet finaliste (SKEDAT DHE REZULTATET)

Liga Unike ka luajtur dje në palestrën “Karagaçi” të Pejës takimet gjysmëfinale për sezonin 2021-2022, aty ku Golden Eagle Ylli dhe vendësit e Pejës kanë mundur të sigurojnë biletat për në finale, pas dy sfidash tepër emocionuese, duke fituar respektivisht kundër Teutës dhe Prizrenit.

LIGA UNIKE

“Final 4” i eventit mbarëkombëtar do të vijojë sot, fillimisht me ndeshjen për vendin e tretë e më pas me finalen e madhe.

YLLI-TEUTA – Për kampionët në fuqi mund të thuhet pa frikë se Teuta ka qenë deri më tani kocka më e fortë për ta në Ligën Unike. Durrsakët, pasi i kishin shkaktuar disfatën e vetme në sezonin e rregullt, rrezikuan seriozisht t’i bënin gjëmën Yllit edhe në gjysmëfinale, teksa gjithçka u vendos vetëm në sekondat e fundit.

Ishte Erjon Kastrati, ai që me kosh në fund, i dha suksesin skuadrës nga Theranda në shifrat e ngushta 84-82.

Ndonëse Ylli ka një buxhet disafish më të lartë se Teuta, bregdetarët treguan karakter dhe bënë një ndeshje të madhe, duke luajtur si të barabartë.

Në periodën e parë Ylli pati gjatë gjithë kohës një epërsi të lehtë, për ta fituar këtë fraksion 21- 15. Perioda e dytë foli për Teutën, që tregoi një përmirësim si në shënjestër gjithashtu edhe në fazën mbrojtëse.

Kështu, të besuarit e Melzin Lazimit fituan 15-23, duke shkuar në pushimin mes dy pjesëve në kryesim 36-38.

Perioda e tretë vijoi me rivalitet të lartë, me Teutën që kishte epërsi deri në 5 pikë dhe therandasit, të cilët shkuan deri në 7 pikë avantazh.

Kështu, ky 10-minutësh u mbyll 22- 18 për Yllin, që mori kryesimin 58-56 pas tri periodash. 10- minutëshi final ishte nga më emocionuesit e të gjithë sezonit.

Të dyja skuadrat luftuan dhëmb për dhëmb deri fund. Por një gjuajtje e saktë për 2 pikë, 8 sekonda nga sirena, që kishte për autor Erjon Kastratin, prishi ekuilibrat, duke shmangur kohën shtesë, për ti dhënë kualifikimin Yllit për në finale.

Për sa u përket paraqitjeve individuale, Te Golden Eagle Ylli më të mirët ishin Mikaile Tmusiç me 23 pikë, 5 kërcime dhe 6 asistime, Henrik Sirko me 17 pikë, 10 kërcime e 7 asistime, si dhe Erjon Kastrati me 22 pikë e 4 asistime.

Në radhët e kampionëve të Shqipërisë spikatën Nasir Core me 23 pikë, si dhe Frenki Lilaj e Tyler Peterson me nga 13 pikë secili.

PEJA-PRIZRENI – Shumë e luftuar rezultoi edhe gjysmë finalja e dytë, që ishte një sfidë derbi mes ekipeve kosovare. Peja ia doli që të triumfonte para publikut të saj, teksa mposhti Prizrenin me rezultatin 98-94 (23-24, 23-23, 22-28, 30-19).

Një sfidë interesante deri në çastet e fundit, teksa vendësit e bënë diferencën pikërisht në periodën e katërt, aty ku dhe realizuan përmbysjen e madhe.

Te Peja në këtë takim shkëlqyen Courtney Fells me 31 pikë dhe Dardan Berisha me 24.

Në radhët e Prizrenit më rezultativët ishin Darell Davis me 20 pikë e 14 kërcime, Xavier Cannefax me 20 pikë, si dhe Altin Morina me 17 pikë. Sot ekipet do të zbresin sërish në parket, teksa në orën 17:00 do të zhvillohet ndeshja për vendin e tretë ndërmjet Teutës dhe Prizrenit, ndërsa në mbrëmje në orën 20:30 do të luhet finalja e madhe mes Yllit dhe Pejës, nga ku do të dalë edhe kampionia e edicionit të dytë të Ligës Unike.

SKE

SKE 1

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"