BASKETBOLL/ Teuta kampione, presidenti i bregdetarëve komenton sezonin: Ishim një makineri fituese

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2022 | 11:06

BASKETBOLL/ Teuta kampione, presidenti i bregdetarëve komenton sezonin: Ishim një makineri fituese

Pas shpalljes së Teutës për herë të dytë radhazi kampione në basketboll për meshkuj, presidenti i durrsakëve, Arqile Gorea, ka komentuar sezon e shkëlqyer të skuadrës së tij. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Gorea flet për zgjedhjet e suksesshme të bëra në klub, për sfidat më emocionuese, të cilat sipas tij kanë qenë ato me Tiranën e Vllazninë, por edhe për ato që i kanë lënë shije të hidhur. Gorea gjithashtu thotë se Shqipërisë i duhet patjetër ligji i sponsorizimit për të konkurruar me ekipet e Kosovës, ndërsa konfirmon në krye të ekipit për sezonin e ardhshëm trajnerin Melzin Lazimi.

teuta basket

Teuta mbylli një edicion duke u konfirmuar sërish kampione, gjithashtu edhe fituese e Superkupës. Cili është komenti juaj për sezonin?

Normalisht Teuta pati një sezon të suksesshëm falë një pune këmbëngulëse dhe serioze në projektimin e një ansambli sportiv dhe social jashtëzakonisht të mirë. Pra, arritëm të krijojmë një orkestër sportive, ku edhe roli i dirigjentit (i trajnerit) ishte në nivelin e duhur. U krijua një makineri sportive që ishte e gatshme të përballonte çdo lloj sfide sportive, duke nisur nga ato më të thjeshtat e deri te më të vështirat. Ishim të gatshëm për të përballuar nga ato sfida sportive të rangut të kulturës dhe deri te ato të dhunshmet. Pra, gjithsesi kishim një ekip të përgatitur për të gjitha mënyrat e ndeshjes dhe për t’i fituar përballjet.

Ndërkohë, kemi një Teutë që çdo vit vjen me ndryshime, por mbetet fituese…

Ne përpiqemi që t’i kalkulojmë gjërat. Nëse ju kujtohet në fillim të sezonit kur kemi bërë një intervistë, ishte koha kur trajneri Milatoviç braktisi ekipin. Në opinionin sportiv po flitej se Teuta nuk do ta marrte veten. Ne si klub dimë t’i zgjedhim aksesorët në harmoni me njëri-tjetrin, kështu që arritëm që të ribëjmë ekipin, të vendosim trajnerin e ri, të caktojmë qartë planet e stërvitjes, objektivat dhe realizimin e tyre.

Cilat kanë qenë ndeshjet më emocionuese për ju këtë sezon?

Sezoni ka pasur ndeshje emocionuese, por dhe ndeshje trishtuese. Takimet emocionuese kanë qenë ato kundër Tiranës dhe Vllaznisë. Ndërsa te ndeshjet trishtuese dua të përmend përballjen me Partizanin në kryeqytet, ku u shkelën të gjitha rregullat e FSHB-së. Gjithashtu edhe takimi me Kamzën, ku nuk u zbatuan standardet dhe rregulloret. Ishin ndeshje që ne duhej t’i fitonim në tavolinë, por u bënë si u bënë dhe nuk po u rikthehem më sepse fitorja i mbulon të gjitha.

Sa është kostoja financiare e një sezoni “top” për Teutën e basketbollit?

Kostot financiare kanë qenë gjithmonë në raport me pretendimet, në konkurrencë me objektivin dhe mundësitë. Jemi munduar gjithmonë që të zgjedhim rrugën më optimale me më pak kosto. Falënderojmë bashkinë Durrës që na ka ndihmuar dhe ndonjë sponsor gjithashtu. Por mbi të gjitha falënderojmë shpirtin e garës, patriotizmin sportiv, adrenalinën dhe orgazmën e fitores që jetonte çdo çast në gjokset e sportistëve tanë.

Ndërkohë, ishit edhe e vetmja skuadër e Shqipërisë në fazën finale të Ligës Unike…

Edhe në këtë kompeticion u përpoqëm që të bëjmë përfaqësim dinjitoz. Ndeshja e parë më ra më e vështira, por u ballafaquam me dinjitet dhe humbëm vetëm në sekondat e fundit më personale, takim ku mund të ishim edhe ne fituesit, e pse jo edhe të Ligës Unike. Gjithsesi, mendoj që ka qenë një nivel i kënaqshëm, që rrit kuotat e basketbollit shqiptar, sidomos të këtij vendës dhe tregoi që Teuta është një ekip që i meriton të gjitha.

Çfarë i mungon sipas jush një ekipi nga Shqipëria për të fituar Ligën Unike?

Mendoj që i mungon ligji i sponsorizimeve, sepse ekipet duhet të ndihen të barabarta me ato në vendet fqinje. Pra, duhet të kenë një mbështetje që vjen mes një miksimi nga pasioni për sportin dhe interesat sportive.

Si do të jetë Teuta e sezonit të ardhshëm?

Ajo që mund të them është se ambiciet tona mbeten serioze. Në raport me spektaklin e publikun do të jemi gjithmonë ekip i dashur për basketbollin shqiptar.

A do të jetë i konfirmuar në krye të skuadrës trajneri Melzin Lazimi?

Shpresoj që po, ose më mirë po ju them po, sepse kemi gjetur një gjuhë mirëkuptimi dhe nuk kemi pasur stonime. Kemi pasur vetëm harmonizim idesh, përpjekjesh dhe kemi arritur rezultatet. Ndërsa dua ta mbyll duke uruar ekipet që debutojnë në Superligë, siç janë “Eagles” të Besëlidhjes. Gjithashtu u uroj të gjithë sportistëve sezon të mbarë dhe pa trauma sportive dhe i lutemi zotit që qeveria shqiptare t’i kthejë sytë nga sporti.

finalet

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"