BASKETBOLL/ Teuta fiton Superkupën, trajneri i Tiranës akuzon: Arbitrat karagjozë na vodhën!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 25, 2021 | 10:23

BASKETBOLL/ Teuta fiton Superkupën, trajneri i Tiranës akuzon: Arbitrat karagjozë na vodhën!

Në radhët e Tiranës të gjithë ishin shumë të zhgënjyer për humbjen e finales së Superkupës ndaj Teutës. Bardheblutë në kor ia faturuan disfatën arbitrave, ku sipas tyre ishin gjyqtarët ata që ia dhuruan trofeun skuadrës durrsake. Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri Erkand Karaj pas ndeshjes shprehu të gjithë indinjatën e tij për atë që ndodhi në finale.

ERKAND KARAJ 1

“Fitoren na e morën nga duart arbitrat Malevi dhe Hoxha. Ishin këta gjyqtarë, ata që ia dhanë Superkupën Teutës. Të gjithë lojtarët luajtën dhe dhanë maksimumin e tyre në këtë finale, e për këtë dua që t’i përgëzoj. Por ajo që pamë nga arbitrat ishte një shfaqje e pisët. E panë të gjithë atë që ndodhi.

Ky është një turp, që një arbitër ndërkombëtar dhe një tjetër ta lëshojnë vetën deri në këtë pikë dhe të bëjnë karagjozin para të gjithëve këtu në sallë. Nuk e di me sa kurajë e bënë një arbitrim të tillë. Tani ajo që mund të them është që të shpresojmë që federata të marrë masa ndaj këtyre sjelljeve jo korrekte”, u shpreh fillimisht Karaji. Më pas, trajneri komentoi pjesën e parë të sezonit të skuadrës së tij:

“Mund t’u vendos një notë mesatare, pasi nuk jemi aty ku duhet dhe aty ku pretendonim të ishim. Megjithatë, kemi pasur edhe dëmtime dhe vështirësi”. I pyetur për ndonjë afrim të mundshëm në merkato, trajneri tha: “Mendoj që është akoma shpejt. Tani të mendojmë një herë për festat dhe ta humbim pak mendjen nga këto situata si kjo e sotmja, më tej të përgatitemi për pjesën tjetër të sezonit”, përfundoi Erkand Karaji.

Ndërkohë, një tjetër episod pas finales tërhoqi vëmendje, ku në shenjë kontestimi ndaj gjykimit, menjëherë pas vërshëllimës përfundimtare të takimit, kapiteni i Tiranës, Red Vogli, me ironi mori trofeun e Superkupës dha ia dorëzoi arbitrave.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

EKSKLUZIVE/ Tirana shfryn ndaj arbitrave, kapiteni Red Vogli i dorëzon me ironi trofeun Teutës (VIDEO)

BASKETBOLL/ Teuta kompleton tripletën, fiton edhe finalen e Supekupës përballë Tiranës (VIDEO)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"