BASKETBOLL/ Te Flamurtari janë të bindura në mbrojtjen e kurorës, Tea Memushi: Trofeun e ngremë në Vlorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2022 | 23:50

BASKETBOLL/ Te Flamurtari janë të bindura në mbrojtjen e kurorës, Tea Memushi: Trofeun e ngremë në Vlorë

Basketbolli i femrave ka ngritur të dielën siparin e finaleve për sezonin 2021-2022, me Flamurtarin që e filloi mbarë, duke fituar thellë raundin e parë ndaj Partizanit. Në Vlorë janë të karikuar për të ngritur kupën, eksperiencën e kanë, por edhe qetësinë e mentalitetin. Kapitenia Tea Memushi, e bija e një prej trajnerëve më të shquar në futbollin shqiptar, Eqerem Memushi, e di edhe nga historia familjare se si fitohen trofetë. Për “Panorama Sport”, Memushi thotë se ky është Flamurtari i vërtetë.

Tea Memushi

“I nisëm me këmbë të mbarë ndeshjet finale. Me Partizanin këtë herë ishte edhe një sfidë e jona duke marrë parasysh edhe ndeshjen e kaluar që patën një problem të vogël dhe në këtë ndeshje të parë të finales duhet të shfaqnim Flamurtarin e vërtetë. Ne nuk mund të krahasohemi me ato, kështu që në këtë ndeshje të parë me Partizanin bëmë më të mirën tonë. Duhet ta mbajmë patjetër këtë ritëm.

Ndeshjen e radhës e kemi në Tiranë në fushën e tyre. Ato do të jenë më agresive pasi e kanë fituar një kupë në këtë sezon dhe normalisht futen në fushë me një tjetër mentalitet dhe që do të kërkojnë të triumfojnë. Ne e marrim parasysh këtë dhe do të futemi më fortë në lojë, duke e ditur që Partizani do të bëjë më të mirën.

850x636_21633628581

Nuk janë lojtare për t’u nënvlerësuar, pasi kanë ekip të mirë. Megjithatë, ne jemi Flamurtari dhe jam shumë e bindur se titulli do të na përkas neve. Urojmë dhe shpresojmë që ta mbyllim në takimin e tretë dhe të festojmë në Vlorë. I kemi të gjitha mundësitë për të bërë mirë në këto ndeshje dhe për të arritur triumfin, pasi brenda skuadrës kemi shumë vajza të talentuara dhe me eksperiencë”, shprehet Memushi.

AMERIKANIA – Ndërsa Taliyah Hopkins për “Panorama Sport”, deklaron se ndeshja e parë ishte një sfidë e kaluar me sukses. Amerikania thekson se Flamurtari është në rrugën e mbarë për titullin. “Kjo ndeshje me Partizanin ishte pak si një sfidë për ne. I referohem ndeshjes së kaluar dhe në këtë përballje kishim për të treguar diçka ndryshe nga ndeshja e kaluar dhe sidomos në pesë minutat e para.

Unë luftoj dhe jap më të mirën për të shënuar dhe të jap kontributin tim. Kjo fitore me Partizanin shkon për të gjithë ekipin. Ne donim që këtë ndeshje ta mbyllnin shpejt që ta kishim lojën në epërsi dhe ta kontrollonin ne. Kam bindjen se edhe në ndeshjen e dytë që do ta luajmë në Tiranë me Partizanin do të bëjmë të njëjtën paraqitje dhe do të fitojmë, për ta mbyllur sa më shpejt çështjen e titullit.

Por patjetër që duhet të jemi me ‘këmbë në tokë’, pasi edhe kundërshtari ka cilësi dhe merita që ka ardhur deri këtu. Unë jam e lumtur dhe ndihem mirë me Flamurtarin. Do të jem akoma më e kënaqur kur të fitojmë kampionatin. Jemi në rrugën e duhur dhe patjetër që kupa do të na përkasë ne”, përfundon Hopkins.

KALENDARI FINALJA E PARË/ 8 MAJ

FLAMURTARI – PARTIZANI 94-51

FINALJA E DYTË/ 12 MAJ

PARTIZANI – FLAMURTARI

FINALJA E TRETË/ 15 MAJ

FLAMURTARI – PARTIZANI

FINALJA E KATËRT*/ 18 MAJ

PARTIZANI – FLAMURTARI

FINALJA E PESTË*/ 21 MAJ

FLAMURTARI – PARTIZANI

*Nëse nevojiten

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"