BASKETBOLL/ Talenti elbasanas nderoi Shqipërinë në finale, Zotaj: Frymëzohem nga Durant

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2022 | 14:00

BASKETBOLL/ Talenti elbasanas nderoi Shqipërinë në finale, Zotaj: Frymëzohem nga Durant

Sapo i ka mbushur 18 vjeç më 30 qershor të këtij viti, por është kthyer shumë shpejt në një yll në rritje në basketbollin shqiptar. Bëhet fjalë për lojtarin e Elbasanit dhe Kombëtares U-18, Enzo Zotaj, i cili së fundmi ka arritur të shpallet kampion me Shqipërinë në Kampionatin Europian, Divizioni C, event i organizuar nga FIBA, duke shënuar plot 41 pikë në finale dhe treguar një formë të jashtëzakonshme. Elbasanasi spikati edhe në gjysmëfinale, ku arriti të realizojë 30 pikë.

WhatsApp Image 2022-08-04 at 1.47.41 PM

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Zotaj tregon emocionet e përjetuara, duke ia dedikuar këtë triumf të gjithë kombit shqiptar, ndërsa u shpall edhe MVP i turneut nga FSHB-ja. Djaloshi 200 cm i gjatë, inspirohet nga ylli i NBA-së, Kevin Durant, por gjithsesi qëndron me këmbë në tokë dhe për momentin kërkon vetëm pak pushim.

Enzo, kur e keni nisur karrierën tuaj dhe pse zgjodhët pikërisht basketbollin?

Kam filluar karrierën në moshën 13-14-vjeçare. Pas futbollit, shokët më sugjeruan të zgjedh basketbollin, thjesht për të kaluar kohë me ta. Kështu nisi edhe ky pasion për këtë sport.

Ju jeni pjesë e ekipit të Elbasanit, si ka shkuar ky sezon për ju?

Sezoni nuk ka shkuar keq, si me ekipin e të rriturve ashtu edhe me U-18. Kam marrë minuta dhe jam paraqitur jo keq. Mund të kemi pasur objektiva të tjerë, por unë jam i kënaqur.

Sa kanë qenë pikët maksimale që keni arritur në një ndeshje? Sa pikë synoni të arrini në të ardhmen?

Pikët maksimale kanë qenë 41 këtë vit, në paraqitjen me Kombëtaren. Nuk është se kam ndonjë synim, mjafton t’i shërbej ekipit për fitore.

Jeni pjesë e Kombëtares U-18 dhe fituat turneun me këtë skuadër. Si ndiheni?

Ndihem shumë mirë që fituam turneun dhe jam shumë i kënaqur që u paraqita në mënyrën më të mirë të mundshme.

WhatsApp Image 2022-08-04 at 1.47.41 PM (1)

U shpallët edhe MVP, e prisnit?

Është një çmim shumë i madh për mua që të shpallem MVP nga Federata Shqiptare e Basketbollit dhe gjej rastin t’i falënderoj.

Kujt ia dedikoni këtë sukses?

Këtë sukses ia dedikoj familjes sime që më kanë qëndruar pranë, pa përjashtuar dy trajnerët e mi që ishin çdo ditë pranë meje dhe nuk u lodhën kurrë, Xhulio Isufin dhe Geri Biçokun. Gjithashtu, dua t’ia dedikoj edhe të gjithë kombit shqiptar.

Ku synoni të arrini në të ardhmen?

Për momentin do të pushoj pak dhe më pas të shohim.

Cili është idhulli juaj?

Idhulli im ose inspirimi im më saktë, është Kevin Durant.

87868

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"