Basketboll / Shqipëria turpërohet në Tiranë, ikën trajneri pas humbjes me 76 pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2017 | 10:16

Basketboll / Shqipëria turpërohet në Tiranë, ikën trajneri pas humbjes me 76 pikë

Kombëtarja shqiptare në basketboll për meshkuj i mbyll me turp paraeliminatoret e Kampionatit Botëror 2019. Në ndeshjen e fundit të Grupit B në sallën e lojërave me dorë “Feti Borova” në Parkun Olimpik, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Antonis Konstantinides u shkatërruan në shifrat e thella 113-37 nga Holanda duke pësuar edhe disfatën e katërt në po kaq ndeshje të zhvilluara.

Shqiperia basketboll

E si të mos mjaftonte diskreditimi që i bën “tulipanët”, mbrëmja e djeshme ishte edhe e fundit për teknikun qipriot që i jep lamtumirën aventurës shqiptare mes zhgënjimit. Skuadrës mike iu desh një fitore me +48 pikë për t’i marrë kreun Austrisë (e dyta e kualifikuar për në turin tjetër), që i kaluan ndoshta edhe pritshmëritë e tyre në transfertën shqiptare në +76 pikë.

Perioda e parë krijoi iluzione se Holanda do të kishte një test të vështirë në Tiranë. Kuqezinjtë janë superiorë në lojën e tyre aq sa shkëputen përkohësisht në +7 pikë (13-6) pas trepikëshit të Mohzer. Kjo sjell panik në stolin mik dhe trajneri Ton Van Helfteren bën shenjë për “time out”. Shqipëria nuk heq dorë nga presingu dhe ruan avantazhin 16-10 pas një tjetër trepikëshi që mban firmën e Shimës në një pozicion aspak komod. I vlefshëm edhe kontributi i Bushatit në këtë 10-minutësh të parë që mbyllet me fitoren e tanëve 16-14.

holande shqiperi basketboll

Pikërisht këtu  mbyllet historia e kësaj mbrëmje. Holanda nuk pajtohet kurrsesi me disavantazhin dhe përmbys shumë shpejt shifrat me një lojë të shpejtë përballë një rivali të çoroditur. Është luajtur vetëm gjysma e periodës së dytë dhe Holanda ka një kryesim të pjesshëm 10- 2 pas trepikëshit të Slagter. Shqipëria është totalisht e paqartë, madje bën edhe shumë gabime. Holanda fikson përkohësisht edhe rezultatin më të thellë të momentit 20-29.

Një kaos total në radhët e kombëtares shqiptare që shpërfytyrohet krejt çuditshëm (20-35), aq sa tekniku qipriot i irrituar guxon dhe e zëvendëson të gjithë pesëshen, dukshëm i zhgënjyer me lojën e titullarëve. Në pak minuta dhe Shqipëria është “jashtë loje”, 24-45. Tashmë për Holandën sa vjen e bëhet më e lehtë diferenca e 48 pikëve. Në periodën e tretë luhen katër minuta lojë dhe kuqezinjtë nuk duken asgjëkund në koshin rival, ndërsa Holanda bën detyrën duke “bombarduar” koshin tonë.

kombetarja basketboll

Diferencat janë të mëdha, 14-0 avantazhi i pjesshëm në favor të Holandës dhe ai në total 59-24. Pushimet e kërkuar nga Konstantinides shërbejnë vetëm për frymëmarrje, pasi parketi tregon një skuadër të dorëzuar fizikisht, por edhe teknikisht. Më pas ndeshja bëhet edhe më e dhimbshme për kuqezinjtë, por edhe për ata tifozë të pranishëm, ndërsa shohin që Holanda kap kuotën treshifrore pas koshit të Kok.

asaasas

Perioda e fundit kthehet më tepër një sfidë brenda holandezëve që kush e kush të shënojë sa më tepër trepikësha, ndërsa përballë kanë një rival thuajse amator. Vendi i fundit në grup, katër humbje në katër takime për Shqipërinë që nuk dhuroi asgjë në këto paraeliminatore, përveç dështimit.

OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"