Basketboll / Shqipëria dhe Kosova mësojnë kundërshtarët e eliminatoreve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2017 | 11:03

Basketboll / Shqipëria dhe Kosova mësojnë kundërshtarët e eliminatoreve

U hodh shorti i paraeliminatoreve të Kampionatit Europian të Basketbollit për meshkuj për vitin 2021 (Eurobasket 2021). Kombëtarja shqiptare do të jetë në Grupin B së bashku me Armeninë e Danimarkën. Në fazën tjetër kualifikohet vendi i parë i çdo grupi (janë A, B, C) dhe skuadra e dytë më e mirë.

Shqiperia basketboll

Kjo pjesëmarrje ndërkombëtare vjen për kuqezinjtë e koshit pas përfaqësimit zhgënjyes në paraeliminatoret e kampionatit botëror 2019. Përpos katër humbjeve në ndeshjet me Austrinë dhe Holandën, fundi i kësaj fushate u shoqërua me dorëheqjen e trajnerit Antonis Konstantinides dhe akuzat e ndërsjella mes teknikut qipriot dhe presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari.

kombetarja basketboll

Nëse Konstantinides pretendoi për mungesë organizimi dhe besimi tek ai nga kupola drejtuese e Federatës, kreu i FSHB-së i dha ultimatum që të respektojë kontratën deri në fund.

paraeliminatoret

KOSOVA

Po dje, Kosova mësoi nga Mynihu i Gjermanisë kundërshtarët e saj të turit kualifikues të kampionatit botëror “Kinë 2019”. Pas historisë që bën në paraeliminatoret, Kosova do të matë forcat tashmë në një grup “ferri” së bashku me Poloninë, Lituaninë dhe Hungarinë. Kosova është shortuar në Grupin C. Pas tërheqjes së goglave, për faqen zyrtare të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) foli trajneri i kombëtares, amerikani Bred Grinberg.

“Bëhet fjalë për 3 kombëtare të forta që do të luajnë sivjet në Eurobasket, ku ne do të kemi rastin t’i analizojmë ndeshjet e tyre. Janë tre kombëtare me eksperiencë dhe kjo për ne është një sfidë e jashtëzakonshme. Unë jam i ngazëllyer që tifozët tanë do të na shikojnë sërish në Prishtinë më 23 nëntor kundër Lituanisë. Por unë jam i zhgënjyer që ne nuk do të luajmë gjatë muajit shkurt në Prishtinë.

Vendosja e Kosovës në Grupin C dhe fakti se ne tani e dimë se cilët janë kundërshtarët tanë do të thotë se për ne zyrtarisht fillon përgatitja për këta kundërshtarë. Fakti se jemi pjesë e këtij grupi prestigjioz dhe se jemi në mesin e 32 kombëtareve nga e gjithë Europa është një tjetër mundësi për të zhvilluar basketbollin në Kosovë. Kjo është një tjetër ditë emocionuese për Kosovën”. Ndeshjen e parë Kosova do të luajë si pritëse më 23 nëntor kundër Lituanisë.

OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"