BASKETBOLL/ Shkëlqyen në Kampionatet Europiane, Ponari pret kombëtaret e moshave: Duhet Ligji i Sponsorizimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 3, 2022 | 15:50

BASKETBOLL/ Shkëlqyen në Kampionatet Europiane, Ponari pret kombëtaret e moshave: Duhet Ligji i Sponsorizimit

Shqipëria mbylli konkurrimin në Kampionatet Europiane të Basketbollit të Moshave, teksa u përfaqësua me gjashtë ekipe për djem dhe vajza, duke fituar tri medalje, një ari me djemtë U-18 dhe nga një bronzi me vajzat U-18 dhe djemtë U-16, suksese të regjistruara në Divizionet C.

ponari

Në një ceremoni të mbajtur dje në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga”, ambient që vitet e fundit është kthyer në shtëpinë e kombëtareve, presidenti i FSHBsë, Avni Ponari, ka pritur dy ekipet U-18, duke i uruar për arritjet në sfidat europiane. Kreu i basketbollit u shfaq i kënaqur me rezultatet, por synimet e tij janë për më shumë.

“Një medalje ari dhe dy bronzi me 6 ekipet tona është një rezultat i pranueshëm, i mirë, por jo ai që ne pretendojmë. Që të bësh basketboll duhen tri kushte: ambientet sportive, financat dhe njerëzit. Fatmirësisht, ne talentet i kemi dhe i keni parë vetë se çfarë basketbollistësh ka sot Shqipëria U-16, U-18 dhe U-20. Lojtarë me përmasa trupore të jashtëzakonshme, të vlerësuar nga FIBA me vlerat më të larta”, u shpreh fillimisht Ponari, i cili më pas u ndal te vështirësitë që vijnë për shkak të mungesës së financave në sport.

“Ajo që u vu re edhe një herë është se stërvitja gjatë vitit nuk është në nivelin e duhur, pra mundësitë për t’u stërvitur nuk ekzistojnë, ashtu sikurse mundësitë financiare. Frika jonë sot është që këtë 18-vjeçarë që sot kanë medalje, a do të jenë në U-20 apo do të tërhiqen. Kjo është ajo që ne na mundon dhe që duhet ta mbështesim. Pra, të gjejmë rrugët dhe këto rrugë janë mbështetja financiare, e cila është e domosdoshme. E përsëris edhe një herë që duhet ligji për sponsorizimin, për t’i dhënë mbështetje sportit. Projekti ynë për të marrë pjesë me gjashtë ekipe ka qenë i jashtëzakonshëm, por edhe kostoja financiare ka qenë e tillë, pasi shifrat kalojnë 250-300 mijë euro”, deklaroi Ponari.

Ndërkohë, Besim Dervishaj, trajneri i Kombëtares U18, ekipit që shënoi edhe rezultatin më të lartë duke u shpallur kampion në Divizionin C, e komentoi kështu pjesëmarrjen në eventet e FIBA-s: “Ishim përgatitur për të luajtur çdo ndeshje dhe për të fituar. Ndoshta medaljen e artë nuk e kishim menduar, por ia arritëm falë punës që bënë djemtë dhe falë mbështetjes që na ka dhënë edhe presidenti Ponari gjatë gjithë kohës. Është një rezultat historik për Shqipërinë, por besoj se do të arrijmë rezultate me të gjitha moshat e tjera”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"