BASKETBOLL/ Prishet tabela, anulohet derbi Tirana-Partizani. Takimi do luhet sot, por u shkel rregullorja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 20, 2019 | 11:56

BASKETBOLL/ Prishet tabela, anulohet derbi Tirana-Partizani. Takimi do luhet sot, por u shkel rregullorja

Faza e parë në Super ligën e basketbollit për meshkuj duhej të ulte siparin mbrëmjen e djeshme me derbin e kryeqytetit ndërmjet Tiranës dhe Partizanit. Takim që ishte parashikuar të zhvillohej në sallën sportive “Farie Hoti”. Por ky derbi i shumëpritur u anulua dhe arsyeja është mosfunksionimi i tabelës elektronike. 

partizani-tirana-basketboll-meshkuj

Kështu, takimi është shtyrë më 24 orë dhe pritet të zhvillohet sot, ku mbetet për t’u përcaktuar salla nëse do të jetë “Farie Hoti” apo “Asllan Rusi”. Por ky vendim me sa duket bie tërësisht ndesh me Rregulloren e Federatës Shqiptare të Basketbollit, e cila bën me përgjegjësi organizatorët (në këtë rast skuadrën pritëse, Tiranën). Sipas rregullores, klubi bardheblu duhet ta humbasë takimin në tavolinë dhe gjithashtu të gjobitet edhe me 100 000 lekë. Pra, zhvendosja me 24 orë e kësaj sfide dhe mosdhënia e fitores në këtë rast për Partizanin, mund të quhet një shkelje e hapur e rregullores.

fsksimilie (1)

RREGULLORJA

Ja çfarë thotë tekstualisht, pika 2 e nenit 10 në rregulloren e FSHB, në lidhje me detyrat e shoqatave pjesëmarrëse në aktivitete: F.Sh.B.-ja është i vetmi organ kompetent që ka të drejtën ligjore të miratojë ose jo zhvillimin e ndeshjeve në një sallë apo pallat sporti. Miratimi i vendit të zhvillimit të ndeshjeve do të bëhet nga F.Sh.B.-ja, 15 ditë përpara fillimit të aktivitetit, pasi të jetë bërë kontrolli i sallave të deklaruara nga anëtarët pjesëmarrës, të cilat duhet të plotësojnë kushtet e përshkruara në rregulloren zyrtare të lojës (përmasat, pajisjet, ndriçimi, dhomat e zhveshjes etj).

Edhe pas miratimit të zhvillimit të ndeshjeve, shoqata organizatore duhet të garantojë mirëmbajtjen e ambienteve dhe mirëfunksionimin e pajisjeve. Mungesa ose mosfunksionimi siç duhet i pajisjeve apo ndriçimi i pamjaftueshëm, që çon në zhvillim jo normal të ndeshjes, gjobitet me 5,000 lekë. Në rast se kjo shkakton moszhvillimin e ndeshjes, ekipi e humbet ndeshjen aforfe dhe gjobitet me 100,000 lekë”, shkruhet në rregulloren e sportit të koshit. Kujtojmë që për këtë takim do të ishin të pranishëm edhe qindra tifozë nga grupimi “Fanatics”, që do ta bënin këtë derbi edhe më elektrizues. Madje shumë prej tyre kishin mbërritur te salla.

ARTIN LLESHAJ 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"