Basketboll / Ponari bllokon trajnerin e kombëtares: Nuk lëviz deri në fund të vitit!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2017 | 16:39

Basketboll / Ponari bllokon trajnerin e kombëtares: Nuk lëviz deri në fund të vitit!

Një ditë pas akuzave të trajnerit të kombëtares shqiptare në basketboll për meshkuj, Antonis Konstantinides, të dorëhequr nga drejtimi i skuadrës pas humbjes së turpshme me Holandën në paraeliminatoret e Botërorit 2019, ka reaguar presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari.

Ponari - Konstantinides kontrata

Në një prononcim për “Supersport”, Ponari ka bërë të ditur se trajneri nuk ka bërë asgjë më shumë sesa detyrën. “Duhet të theksoj se trajneri ka bërë vetëm detyrën e tij, asgjë më shumë nga ato që pretendon. Sigurisht që në vitin e dytë të punës së tij ka patur më shumë probleme dhe kjo lidhet me sjelljen e sportistëve. Megjithatë ne kemi folur dhe unë pres që ai të respektojë kontratën deri në fund të 2017-ës. Për sa i përket faktit që nuk e duam kombëtaren ka të drejtë pasi pjesëmarrja e tifozëve në pallatin e sportit ka qenë e pakët në përkrahje të ekipit”, deklaroi Ponari.

kostandinidhes

Gjithashtu, ai vë theksin edhe te mungesa e financave që duhet të japë shteti për këtë sport. Ponari bën një krahasim të situatës me basketbollin në Kosovë, ku i bën thirrje shtetin të kthejë vëmendjen me investime konkrete në çdo fushë të sportit. “Sigurisht që nuk mund të flasësh për basketboll kur ne si federatë e kemi grandin vjetor 80 mijë euro, ndërkohë që vetëm ekipi i Sigal Prishtinës ka buxhetin vjetor 800 mijë euro.

Në Kosovë 30 për qind e taksave shkojnë për sportin, ndërkohë që këtu çdo qeveri nuk ka menduar aspak për sportet e tjera përveç futbollit. Po të bisedosh me çfarëdo lloj ministri, të kaluar, të djeshmin apo të sotmin, gjëja për të cilën nuk kujdeset dhe nuk do të dijë fare është sporti dhe zhvillimi i terreneve sportive”, deklaroi presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari.

Shqiperia basketboll

Në prag të paraeliminatoreve të kampionatit botëror ambiciet ishin për kualifikim për në turin tjetër të Botërorit, por që fundi i kësaj fushate rezultoi me një bilanc dështues, katër ndeshje të zhvilluara e po kaq humbje. Shqipëria e mbylli në vend të fundit në Grupin B, ndërsa Holanda u mori kryesimin austriakëve pikërisht pas fitores +76 pikë në transfertën e “Feti Borova” në Tiranë, ndërsa i vlente një fitore me +48 pikë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"