BASKETBOLL/ “Në Kombëtare vuajmë mungesën e eksperiencës”, Enisa Qosja: Tirana më ka përmirësuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2022 | 17:39

BASKETBOLL/ “Në Kombëtare vuajmë mungesën e eksperiencës”, Enisa Qosja: Tirana më ka përmirësuar

Vitet e fundit në basketbollin e femrave mes shumë problematikash dhe vështirësive që ofron ky sport në vendin tonë, ka tërhequr vëmendje të madhe një lojtare. Ajo është Enisa Qosja, e cila u kthye në kryefjalën e kampionatit falë statistikave të saj të jashtëzakonshme.

qose

Tek Elbasani, Qosja ishte një makineri pikësh, aq sa statistikat e saj personale nxirrnin në plan të dytë edhe rezultatet e ndeshjeve, si dhe eklipsonin lojtaret e shumta të huaja që zbarkonin rregullisht në kampionatin tonë. Ndërkohë, këtë sezon 27-vjeçarja ka kaluar në radhët e Tiranës, teksa vijon të tregojë një formë mjaft të mirë.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Qosja rrëfen edicionin e deritanishëm në radhët e skuadrës bardheblu, ku përtej ulje-ngritjeve beson të fitimi i titullit kampion. Ajo tregon gjithashtu edhe diferencat mes të luajturit tek Elbasani dhe Tirana, si dhe flet edhe për skuadrën kombëtare, që vijon të regjistrojë rezultate të dobëta.

Enisa, si do ta gjykoni sezonin e deritanishëm me Tiranën?
Një sezon mjaft i bukur, kur përballë na është shpalosur një gamë e gjerë sfidash, ndaj për të cilat jemi munduar të japim maksimumin duke arritur shpeshherë edhe rezultate pozitive. Por, normalisht kemi pësuar edhe humbje.

Çfarë synoni të arrini me Tiranën?
Normalisht synimi kryesor është fitimi i eksperiencës, rritja në kuadrin profesional dhe, pse jo, fitorja e titullit kampion që në këtë sezon.

Cilat janë ndryshimet mes Tiranës dhe Elbasanit?
Dallimi kryesor është niveli profesional, të cilin e ka arritur ekipi i Tiranës në aspektin teknik, taktik, mental dhe fizik.

Jeni e kënaqur me paraqitjet tuaja në aspektin personal?
Pa dyshim që jam e kënaqur, sepse vërej rritje në aspektin tim profesional, duke treguar përmirësim në fushë.

Vazhdoni të regjistroni statistika të rëndësishme, por shikojmë që keni një rënie në aspektin e pikëve në krahasim me kohën kur luanit për Elbasanin. Si do ta shpjegoni? Duke marrë parasysh nivelin e vajzave të ekipit të Elbasanit dhe të Tiranës, në qoftë se tek ekipi i Elbasanit loja ishte e përqendruar tek unë, rrjedhimisht kam qenë pikëshënuesja kryesore e skuadrës. Ndërsa te Tirana ndryshon. Kjo ndodh sepse niveli është më i mirë, loja luhet deri në sekondën e 24-t, pra topi qarkullon dhe ndodh shpërndarja e pikëve te të gjitha lojtaret.

A i mbani shënim pikët e shënuara në karrierë?
Jo, nuk e kam bërë diçka të tillë.

Cila ka qenë ndeshja më e mirë që ju ka mbetur në mendje?
Ka qenë ndeshja e luajtur kundër ekipit të Partizanit, një ndeshje mjaft e rivalizuar kundrejt një ekipi shumë të përgatitur.

Sa është numri më i lartë i pikëve që keni arritur në një ndeshje gjatë këtij sezoni dhe kundër cilës skuadër ka ndodhur?
Është ndeshja kundër ekipit të Flamurtarit, ndaj të cilit kam realizuar 28 pikë.

Po numri më i lartë i pikëve që keni prekur në karrierë?
Ka qenë rreth dy vite më parë, kur luaja me Elbasanin. Mbaj mend që kam shënuar 86 pikë në një ndeshje në kampionat.

Të kalojmë tek ekipi kombëtar. Çfarë i mungon përfaqësueses, sipas jush, dhe basketbollit të femrave në vendin tonë për të qenë konkurrues edhe në arenën ndërkombëtare?
Duke marrë parasysh që në ekipin kombëtar aktivizohen vajzat më të talentuara që ofron basketbolli shqiptar në këtë nivel që jemi, themi që mosha mesatare është 20-21 vjeç, gjë që reflektohet në mungesën e eksperiencës. Gjithashtu, në mungesën e mirëfilltë të përgatitjes fizike, teknike e taktike dhe normalisht me mungesën e përballjeve me liga të forta. Pavarësisht përpjekjeve maksimale nga ana jonë, rezultatet nuk kanë qenë në favorin tonë.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"