BASKETBOLL/ “Ndaj Teutës bëmë shumë gabime, Liga Unike do të ndikojë në rritjen e nivelit”, Milatoviç me objektiv të qartë: Vllaznisë i jap tripletën!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2021 | 22:31

BASKETBOLL/ “Ndaj Teutës bëmë shumë gabime, Liga Unike do të ndikojë në rritjen e nivelit”, Milatoviç me objektiv të qartë: Vllaznisë i jap tripletën!

Vllaznia në basketboll për meshkuj i ka bërë një start fantastik Superligës, duke mposhtur në dy ndeshjet e para të kampionatit, kundërshtarë direktë për titullin siç janë Tirana dhe Teuta. Pasi thyen në transfertë bardheblutë, shkodranët bindën edhe në javën e dytë, teksa të mërkurën mposhtën kampionët në fuqi.

milatovic xhaferi

Edhe pse zhvilluan një ndeshje me luhatje në disa momente, kuqeblutë triumfuan në shifrat 85-82 ndaj bregdetarëve. Trajneri i Vllaznisë, Nikola Milatoviç, pas suksesit ndaj ishskuadrës së tij, Teutës, u shfaq i lumtur me rezultatin, por gjithashtu pati vërejtje për lojën e të tijve.

“Ndaj Teutës ishte një fitore shumë e rëndësishme. Nuk jam i lumtur se si luajtëm, pasi kishte perioda ku u paraqitëm shumë mirë, por kishte edhe perioda që bëmë shumë gabime, disa gabime që mund t’i bëjnë vetëm fëmijët. Megjithatë, e rëndësishme është fillimi i mirë i kampionatit me fitoren ndaj Tiranës në transfertë dhe ndaj ekipit kampion, Teutës”, shprehet malazezi.

Më tej trajneri u rikthye të flasë për objektivat, si dhe eksperiencën që ka pasur te Teuta: “E kam thënë që ambicia ime e vetme te Vllaznia është për t’u shpallur kampion. Nuk më pëlqen vendi i dytë, punoj gjithmonë vetëm për titullin kampion. Kam folur edhe me drejtuesit, edhe ata objektiv kanë trofeun, por problemi që kemi është se lojtarët kanë shumë pak kohë së bashku në stërvitje.

Na duhet më shumë kohë dhe besoj deri në janar do të na duhet të stërvitemi shumë kur është edhe momenti për trofeun e parë. Për Teutën kur isha trajner atje, kam emocione, por unë jam një profesionist dhe bëj punën time këtu në Shkodër. Vllaznisë nuk do t’i jap vetëm një trofe, por tre trofetë e këtij sezoni, por më jepni pak kohë”, thotë trajneri.

LIGA UNIKE – Këtë fund javë do të nisë edhe edicioni i dytë i Ligës Unike, kompeticioni i përbashkët me skuadra nga Shqipëria dhe Kosova. Milatoviç nuk ka asnjë dyshim, për të ky event do të ndikojë në rritjen e nivelit të basketbollit. “Liga Unike ka ekipe të mira dhe një konkurrencë shumë të fortë. Ne luajtëm një ndeshje të mirë edhe në Superkupën Mbarëkombëtare, por ekipet e Kosovës ishin më mirë edhe për faktin se vinin me avantazhin e më shumë takimeve të luajtura në këtë sezon. Për ne është shumë e rëndësishme që marrim pjesë në finale me katër ekipe dhe aty gjithçka është e mundur. Pjesëmarrja në Ligën Unike na bën mirë sepse rritet niveli duke u përballur me skuadra më cilësore”, deklaroi Milatoviç

SENAD NIKSHIQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"