BASKETBOLL MESHKUJ/ Ylli dorëzon kurorën në shtëpinë e rivalëve, Peja shpallet kampione e Ligës Unike (SKEDAT DHE REZULTATET)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2022 | 9:09

BASKETBOLL MESHKUJ/ Ylli dorëzon kurorën në shtëpinë e rivalëve, Peja shpallet kampione e Ligës Unike (SKEDAT DHE REZULTATET)

Peja është fituesja e edicionit 2021-2022 në Ligën Unike të basketbollit për meshkuj.

LIGA UNIKE

Pejanët kanë marrë hak për atë humbje në finalen e sezonit të kaluar, teksa mbrëmjen e djeshme kanë fituar finalen kundër Golden Eagle Yllit me rezultatin 72-85.

Peja e shfrytëzoi kështu më së miri faktorin fushë, duke u shfaqur dominuese në palestrën “Karagaçi”, ku dhe u mbajt faza “Final 4”.

Finalja foli krejtësisht për pejanët, të cilët nuk e vendosën për asnjë moment në dyshim fitoren, madje duke prekur avantazhin deri në +20 pikë për ta mbyllur më pas me festë para publikut të tyre të zjarrtë në një atmosferë elektrizuese.

NDESHJA – U hap me 5 pikët e para në favor të Yllit, por më pas Peja gradualisht mori gjithçka në kontroll për të fituar në këtë fraksion 19-23.

Perioda e dytë ishte edhe më e mira për të zotët e shtëpisë, të cilët shpërthyen në shifrat 15- 26, për ta thelluar avantazhin në 34-49 pas gjysmës së takimit.

Perioda e tretë është më e ekuilibruar, por Peja nuk rrezikon për asnjë moment, teksa i ruan distancat e pikëve me therandasit.

Kështu, ky 10- minutësh mbyllet 19-20 për Pejën, që kryeson 53-69 pas tri periodash. Në çerekun e fundit pejanët shkojnë deri në +20 pikë epërsi, ndërsa Ylli duket i pafuqishëm për të reaguar, me takimin që mbyllet me 15 pikë avantazh për Pejën.

Në fund shpërthen edhe festa në parket, ku dhe zhvillohet ceremonia e medaljeve. Presidenti i Ligës Unike, Ilir Trebicka, si dhe kreu i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, i dorëzuan trofeun kapitenit Dardan Berisha.

DARDAN BERISHA, MVP – Çmimi i lojtarit më të mirë të finales shkoi për kapitenin e Pejës, Dardan Berishën, i cili e mbylli takimin me 22 pikë, 4 kërcime dhe 6 asiste.

Shumë i lumtur me suksesin, kapiteni i kampionëve të rinj të Ligës Unike, deklaroi: “Është titulli i parë për mua me ekipin e vendlindjes në një ligë të rëndësishme. Është një emocion që nuk përshkruhet.

Publiku ka një meritë të madhe, pasi na ka dhënë shumë forcë në të dyja ndeshjet. Kjo mbrëmje do të mbetet në histori, por nga nesër do të mendojmë për kampionatin”, u shpreh Berisha, pasi mori çmimin MVP nga sekretarët e federatave respektive, Korab Llazani dhe Elvira Dushku.

Kështu, kompeticioni i përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës uli siparin e edicionit të dytë, me Pejën që shkruan me germa të arta emrin e saj si kampione.

Një sezon që konfirmoi nivelin më të lartë të ekipeve kosovare, teksa Teuta ishte e vetmja skuadër e Shqipërisë që mundi të kualifikohej për në “Final 4”.

SKE

SKE 1

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"