BASKETBOLL MESHKUJ/ Tirana mposht Kamzën, fitore të thella për Teutën dhe Vllazninë (REZULTATET DHE RENDITJA)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2022 | 10:55

BASKETBOLL MESHKUJ/ Tirana mposht Kamzën, fitore të thella për Teutën dhe Vllazninë (REZULTATET DHE RENDITJA)

Basketbolli i meshkujve ka mbyllur dje ndeshjet e javës së 19-të të Superligës. Një javë që përfundoi pa surpriza, teksa Tirana, Teuta dhe Vllaznia dolën me fitore.

BASKET

KAMZA-TIRANA – Bardheblutë fituan derbin kundër Kamzës me rezultatin 78-83 (10-20, 22-16, 19-25, 27-22). Tirana e udhëhoqi sfidën e zhvilluar në palestrën e Bathores që nga fillimi e deri në fund.

Skuadra e Erkand Karajit e pa veten deri në +21 pikë avantazh, por Kamza provoi të tregonte karakter, duke u afruar deri në 3 pikë në sekondat e fundit.

Megjithatë, Tirana arriti që ta ruante epërsinë, duke dalë me një sukses +5 pikë nga kjo sfidë. Në paraqitjet individuale, Endrit Hysenagolli vazhdon të tregojë një formë të shkëlqyer, me dopieta të njëpasnjëshme dyshifrore.

Gjiganti i bardhebluve ishte njeriu i ndeshjes, me 27 pikë dhe 21 kërcime. Në radhët e Kamzës, më i miri ishte amerikani Eldridge, autor i 25 pikëve dhe 13 kërcimeve.

PARTIZANI-TEUTA – Durrsakët dolën me triumf të thellë në takimin e zhvilluar në “Asllan Rusi”, të cilin e fituan me rezultatin 51-96 (12-32, 9-23, 14-22, 16-19).

Teuta e komandoi ndeshjen që nga fillimi e deri në fund, pa e vënë në asnjë moment në diskutim suksesin. Ndërsa “demat” tashmë duken më të fokusuar në “play out”, aty ku do të luajnë të gjitha shanset për qëndrimin në elitë.

Ndonëse e startoi nga pankina, amerikani Beisch, me 24 pikë, ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes. Për Teutën spikati gjithashtu edhe Core, me 23 pikë, 10 kërcime e 7 asiste.

Për Partizanin lojtari me rendimentin më të lartë ishte kapiteni Mired Jani me 21 pikë, i cili ishte i vetmi që preku dopioshifër për 33 herë kampionët e Shqipërisë.

VLLAZNIA-DINAMO – Shkodranët i presin biletën e rikthimin në një kategori më poshtë Dinamos, duke i mundur kryeqytetasit në Shkodër me rezultatin 85-52 (29-13, 22- 11, 17-18, 17-10).

Falë diferencave mes ekipeve, sfida e zhvilluar në “Qazim Dervishi” nuk pati shumë histori, teksa kuqeblutë ishin në kryesim gjatë gjithë kohës.

Lojtari më i mirë i ndeshjes ishte Redi Rakaj, protagonist me 24 pikë. Për Dinamon, vetëm kapiteni Abdel Gjyzeli (14), arriti dopioshifër pikësh.

SKE 5

SKE 6

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"