BASKETBOLL MESHKUJ/ Tirana feston në derbi, Teuta dhe Vllaznia nuk falin (REZULTATET DHE RENDITJA)
Superliga e basketbollit të meshkujve mbrëmjen e djeshme ka zhvilluar ndeshjet e javës së 18-të.
Të tria takimet e kësaj jave janë luajtur në kryeqytet, me Tiranën që mposhti Partizanin në derbi, ndërsa Teuta dhe Vllaznia mundën përkatësisht Dinamon dhe Kamzën.
Duke u ndalur fillimisht te derbi i zhvilluar në “Farie Hoti”, bardheblutë e Erkand Karajit nuk falën, teksa triumfuan ndaj “demave” me rezultatin 74-61 (19-19, 22-13, 23-10, 10-19).
Pas një periode të parë në ekuilibër të plotë, Tirana e bëri diferencën në çerekun e dytë dhe të tretë, duke hipotekuar edhe suksesin.
Në fund Partizani reagoi duke i ngushtuar shifrat, por jo aq sa për ta vënë në diskutim suksesin e të zotëve të shtëpisë. Katër lojtarë të Tiranës prekën kuotë dyshifrore pikësh, ndërsa spikatën Eldi Hysa me 20 pikë, si dhe Endrit Hysenagolli me 15 pikë e 11 kërcime.
Për Partizanin më i miri ishte kapiteni Mired Jani, autor i 21 pikëve dhe 11 kërcimeve.
Tirana ruan vendin e parë në renditje, por kryeqytetasit kanë dy ndeshje më shumë se Teuta.
Këta të fundit dolën me fitore të thellë nga “Asllan Rusi”, duke mundur Dinamon e vendit të fundit me rezultatin 63-98 (14-24, 9-26, 16-30, 24-18).
Durrsakët i mbyllën llogaritë që në pjesën e parë, duke shkuar në pushim me +27 pikë avantazh, për ta kthyer më pas pjesën e dytë në një takim stërvitor.
Pesë lojtarë të Teutës shënuan kuotë dyshifrore pikësh, ndërsa më rezultativi ishte Kyle Beisch me 27.
Për Dinamon spikati i zakonshmi Abdel Gjyzeli, teksa kapiteni regjistroi 24 pikë dhe 9 kërcime.
Vllaznia mori një fitore shumë të bukur në palestrën e Bathores, duke ndëshkuar Kamzën vendëse me rezultatin treshifror 79-100 (17-26, 20-24, 14- 26, 28-24).
Kuqeblutë ishin gjatë gjithë kohës në avantazh, madje shkuan deri në +32 pikë epërsi. Pesë lojtarë të Vllaznisë regjistruan dopioshifër pikësh, ndërsa rendimentin më të lartë e kishte Dobbs me 20.
Për Kamzën spikati Eric Williams, autor i 28 pikëve, që ishte edhe shënuesi më i mirë i ndeshjes, ndërsa edhe një herë tjetër skuadra e Eni Llazanit vuan rendimentin e dobët të pankinës, me vetëm 2 pikë të realizuara.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"