BASKETBOLL MESHKUJ/ Teuta mposht Tiranën, Kamza “përcjell” Dinamon (REZULTATET DHE RENDITJA)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2022 | 14:31

BASKETBOLL MESHKUJ/ Teuta mposht Tiranën, Kamza “përcjell” Dinamon (REZULTATET DHE RENDITJA)

Superliga e basketbollit të meshkujve ka mbyllur dje ndeshjet e javës së 20-të, javë, e cila është e fundit për sezonin e rregullt.

BASKET

Kryendeshja mes Tiranës dhe Teutës ka përfunduar me fitoren e bregdetarëve me rezultatin treshifror 110-97. Kampionët në fuqi e nisën shumë më mirë takimin, teksa menjëherë u shkëputën 16- 5.

Loja e skuadrës së Melzin Lazimit kishte shpejtësi, presing dhe saktësi. Nga ana tjetër Tirana, pa shumë alternativa në stol, tentoi me 5-shen bazë të formacionit të mos lejonte arratisjen e Teutës në pikë.

Sidoqoftë, çereku i parë përfundoi me 15 pikë avantazh të durrsakëve, 35- 20. E njëjta situatë ishte edhe në periodën e dytë. Teuta e kontrolloi lojën dhe thelloi avantazhin, duke e fituar këtë fraksion 28- 20, për të shkuar në pushim me 23 pikë epërsi, me rezultatin që shënon në tabelë 63-40.

Pavarësisht disavantazhit të konsiderueshëm, Tirana futet në lojë pas pushimit me tjetër mendësi. Bardheblutë e Erkand Karajit tregohen agresivë dhe kanë rendiment të lartë në sulm, duke e fituar periodën e tretë 17-27, për ta reduktuar në 13 pikë diferencën pas gjysmë orë lojë, me vendësit që kryesojnë 80-67.

Megjithatë, Teuta arrin ta administrojë avantazhin, ndërsa perioda e katërt luhet me efikasitet të lartë në sulm nga të dyja skuadrat, që shënojnë nga 30 pikë secila.

Core me 20 pikë dhe 11 kërcime, si dhe Bruce me 27 pikët ishin më të mirët në radhët e skuadrës durrsake.

Ndërsa për Tiranën spikatën Hysa me 34 pikë, Hysenagolli me 22, kapiteni Red Vogli me 21, apo edhe organizatori Strazimiri, i cili dhuroi plot 14 asiste.

Me këtë sukses Teuta rimerr kreun, por kujtojmë se bregdetarët kanë gjithashtu edhe dy ndeshje të prapambetura për të luajtur, ndaj Kamzës më 27 prill dhe kundër Vllaznisë më 30 prill, para “play off”-it.

Megjithatë, duket disi e çuditshme zgjedhja e FSHB-së për t’i spostuar këto takime kaq vonë, duke u dhënë mundësi për llogari ekipeve.

Dje regjistroi fitore edhe Kamza, e cila mundi në derbi Dinamon me rezultatin 90-80(15-18, 26-18, 24-19, 25-25).

Skuadra e Eni Llazanit e bëri diferencën në periodën e dytë dhe të tretë, përballë dinamovitëve që tashmë rikthehen në nivelin e dytë të sportit të koshit.

Kujtojmë se të premten Vllaznia fitoi në kryeqytet kundër Partizanit 66-75, teksa “demat” tashmë do të luajnë në “play out” me Besëlidhjen.

TEU

KAM

KL 1

ROLAND GJINI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"