BASKETBOLL MESHKUJ/ Superliga luan javën e fundit, Vllaznia mund Partizanin në kryeqytet (REZULTATI DHE RENDITJA)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2022 | 10:58

BASKETBOLL MESHKUJ/ Superliga luan javën e fundit, Vllaznia mund Partizanin në kryeqytet (REZULTATI DHE RENDITJA)

Superliga e basketbollit të meshkujve ka nisur dje sfidat e javës së 20-të, me përballjen ndërmjet Partizanit dhe Vllazninë në “Asllan Rusi”.

BASKETBOLL

Shkodranët arritën që të triumfonin me rezultatin 66-75 pas një loje me rivalitet, ku diferencën e bënë në periodën e fundit. Ndërsa tashmë do të fokusohen në fazën “play off”, aty ku do të luftojnë për titullin.

Ndërsa “demat” i presin sfidat “play out” kundër Besëlidhjes, takime të vlefshme për qëndrimin në elitë.

NDESHJA – Sfida e zhvilluar në kryeqytet ishte interesante dhe e luftuar. Në periodën e parë në parket pati ekuilibër të plotë, teksa gjithçka u mbyll në shifrat 21-21.

Në minutat e para të periodës së dytë, Partizani pati edhe momentin e tij më të mirë në këtë takim, ku arriti që të merrte kryesimin me 6 pikë (30-24), por më pas Vllaznia rikuperoi, teksa e fitoi këtë fraksion lojë 15-18, për të udhëhequr 36-39 pas 20 minutash lojë.

Gjithsesi, 33 herë kampionët e Shqipërisë nuk u dorëzuan lehtë, madje në periodën e tretë arritën të kalonin sërish përpara në shifrat 47-44, kur kishin mbetur edhe 4 minuta nga fundi i periodës.

Por kuqeblutë rikuperojnë, ku edhe pse munden 13-12 në këtë 10- minutësh, janë në kryesim 49- 51 në shifra të përgjithshme pas 3 periodash.

Të kuqtë e trajnerit Erdal Borova, provojnë për përmbysjen, por me kalimin e minutave shkodranët vendosin qetësinë, për ta fituar çerekun e fundit 17- 24 dhe të gjithë takimin me +9 pikë.

Me Damian Bekteshin në pankinë, Vllaznia duket se tashmë ka gjetur qetësinë, duke shfaqur rezultate në ngritje prej disa javësh.

Duke kaluar te paraqitjet individuale, për Vllazninë më i miri ishte Robert Shestani, autor i 18 pikëve. Ndërsa dopioshifër pikësh arritën edhe amerikanët Butler (15), Toomer (11) dhe Dobbs (10).

Për Partizanin nuk mjaftoi paraqitja fantastike e Daron Henson, protagonist me 29 pikë dhe 9 kërcime.

Ndërsa spikati edhe kapiteni Mired Jani, i cili regjistroi 22 pikë dhe 8 kërcime. Për sa u përket ndeshjeve të tjera, ato do të luhen të dielën, me Teutën që pret Tiranën në Durrës, ndërsa Kamza sfidon Dinamon.

SKE

KL 1

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"