Basketboll meshkuj/ Partizani fundos Tiranën, skuadra e Arben Fagut ngjitet në vendin e dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 21, 2019 | 16:37

Basketboll meshkuj/ Partizani fundos Tiranën, skuadra e Arben Fagut ngjitet në vendin e dytë

Derbi i shumëpritur në basketboll për meshkuj ndërmjet Tiranës dhe Partizanit, i cili u shty me 24 orë, u zhvillua më në fund në pallatin e sportit “Asllan Rusi”. Ishin “demat e kuq” ata që arritën të dilnin fitimtarë nga sfida e djeshme, falë një loje më racionale e kërkuese. Genti Lasku ishte më i miri në parket duke regjistruar 25 pikë, ndërsa për bardheblutë shkëlqeu Hysa me 22 pikë. 

partizani-tirana-basketboll-meshkuj

Ndeshja ka startuar nën një atmosferë elektrizuese të krijuar nga rreth 200 tifozë të grupimit “Fanatics”. Tri pikët e para shënohen nga Redi Vogli por menjëherë vjen përgjigjja nga ish-lojtari bardheblu Lasku. Nis kështu lufta për fitoren nga të dyja skuadrat. Bardheblutë përpiqen me të gjitha mënyrat, për të mos i zhgënjyer tifozët.

Dy “veteranët” e skuadrës, Vogli e Shima, japin gjithçka teksa shënojnë disa trepikësha, por Partizani kundërpërgjigjet dhe arrin të ngushtojë e më pas e fiton periodën e parë me 4 pikë. Perioda e dytë është shumë e luftuar nga të dyja skuadrat ku herë pas here vijnë disa barazime pikësh, 26-26, 29-29, 35-35, por edhe këtë herë perioda shkon në favor të Partizanit 16-18, me ekipet që shkojnë në pushimin mes dy pjesëve, me avantazhin prej 6 pikësh për të kuqtë (43-37). Fraksioni i dytë nis bukur për Partizanin që kërkon shkëputjen, madje shkon deri në 11 pikë. Por shumë shpejt ata bien në gabime nga ku përfiton Tirana që ngushton në fund të periodës së tretë deri në 3 pikë, pasi e fiton këtë fraksion loje 18-15. Perioda e fundit është më e ndezur ku nuk mungojnë as trazirat nga ana e tifozërisë bardheblu.

sksks

Një nga tifozët kap nga fanella lojtarin e Partizanit Daniel Lekndreaj, kur po kapte një top pranë tyre. Kaq mjaftoi për të nisur trazirat, me karrige dhe shishe që hidhen në parket në drejtim të lojtarëve të Partizanit. Më pas qetësohet loja nga vetë lojtarët e Tiranës që shkojnë pranë tifozërisë së tyre. Por përsëri pas dy minutash ka tension, ku pas një ndërhyrjeje të Janit në dëm të Voglit, një tifoz i Tiranës hyn në fushë dhe tenton të qëllojë lojtarin e Partizanit.

Por është stafi i Tiranës që ndërhyn dhe ia dorëzon policisë private duke e nxjerrë jashtë. Kjo periodë mbyllet thellësisht me fitoren e Partizanit 20-14 dhe gjithë takimi fikson shifrat 69- 78 për “demat”. Në fund ka përqafime mes lojtarëve të të dyja skuadrave dhe gjithçka shkon qetë kur lojtarët e Tiranës përshëndesin tifozët e tyre. Me këtë takim uli siparin edhe faza e parë e Superligës, me Teutën që shpallet me meritë të plotë kampione dimri.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"