BASKETBOLL MESHKUJ/ Finalet e Superligës, trajneri i Teutës: Ta mbajmë titullin në Durrës! (KALENDARI)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2022 | 10:41

BASKETBOLL MESHKUJ/ Finalet e Superligës, trajneri i Teutës: Ta mbajmë titullin në Durrës! (KALENDARI)

Superliga e basketbollit të meshkujve do të nisë serinë e finaleve për sezonin 2021-2022, takime që do të vendosin përballë Teutën dhe Vllazninë. Ndeshja e parë do të luhet në mbrëmjen e sotme në orën 19:00 në pallatin e sportit “Ramazan Njala” në Durrës. Gazeta “Panorama Sport” ka kontaktuar me trajnerin e Teutës, Melzin Lazimi, i cili tregon gjendjen e skuadrës në prag të këtyre takimeve. Lazimi flet gjithashtu për atmosferën, sezonin e ngjeshur dhe kundërshtarin, ndërsa objektivi është vetëm një, mbrojtja e kurorës së kampionit.

melzin lazimi

Si vjen Teuta në finale dhe si po priten në Durrës këto takime?

Entuziazmi dhe atmosfera e finaleve ndihet në të gjithë qytetin e Durrësit. Është një qytet që e do shumë basketbollin dhe mbështetja e qytetarëve durrsakë ka qenë e madhe, duke na dhënë shtysë dhe moral të lartë përpara këtyre finaleve. Përgatitja për finalet ka qenë e shkëlqyer, shikoj dëshirë, ritëm të lartë dhe një grup të bashkuar për të sjellë trofeun. Pres të shikoj një skuadër agresive dhe dominante.

Jeni skuadra me numrin më të lartë të ndeshjeve në këtë sezon, nëse marrim parasysh edhe Superkupën, Kupën apo Ligën Unike. A përbën problem për ekipin një sezon me gjithë këtë ngarkesë?

Sigurisht që numri i ndeshjeve të sezonit të gjatë ka qenë i madh, por ne jemi përballur në të gjitha frontet, duke treguar forcën tonë dhe ndeshje me ritëm e nivel të lartë. Skuadra e Teutës ka një përgatitje të lartë fizike dhe ka intensitetin e duhur për të luajtur basketboll agresiv dhe me ritëm të shpejtë. Nuk ka shenja lodhjeje në skuadër, madje mund të them se sportistët janë në majën e performancës fizike në këtë cikël të fundit të sezonit.

Si paraqitet situata me dëmtimet?

Për fatin e mirë, deri më tani nuk kemi dëmtime në skuadër. Besoj ky është tregues direkt i punës së mirë fizike që është zhvilluar për të evituar dëmtimet muskulore, por edhe kujdesit për të evituar traumat në seancat stërvitore. Skuadra është e plotë dhe në ritmin e duhur.

Një opinion për Vllazninë, rival me të cilin jeni përballur disa herë gjatë këtij sezoni…

Vllaznia është një skuadër që nuk mund të nënvlerësohet, pasi ka cilësi dhe lojtarë që ofrojnë energji dhe ritëm. Në nivelin taktik është një skuadër që ofron më shumë zgjidhje individuale, duke e bazuar lojën te cilësitë e lojtarëve amerikanë, apo dhe kapitenit Shestani. Të gjitha takimet tona ndaj Vllaznisë kanë qenë të rivalizuara dhe kanë ofruar spektakël. Pres të shikoj një Vllazni luftarake nën drejtimin e Bekteshit, i cili ka punuar mjaft mirë me skuadrën, duke ngritur moralin dhe vlerat e lojtarëve. Megjithatë, mendoj se ne jemi më të fortë në disa aspekte dhe do t’i shfrytëzojmë ato në mënyrën më të mirë për të mbrojtur titullin kampion.

KL

KL 1

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"