BASKETBOLL MESHKUJ/ Çudira shqiptare në kryesfidën e Superligës! Salla pa forca rendi, Teuta-Besëlidhja u ndërpre tri herë (REZULTATET DHE RENDITJA)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2022 | 9:07

BASKETBOLL MESHKUJ/ Çudira shqiptare në kryesfidën e Superligës! Salla pa forca rendi, Teuta-Besëlidhja u ndërpre tri herë (REZULTATET DHE RENDITJA)

Së fundmi komuniteti i basketbollit ka prodhuar polemika të forta për arbitrat, me këta ta fundit që kanë përfunduar në syrin e ciklonit, duke u akuzuar nga klubet më të rëndësishme, si Tirana apo Teuta.

BASKET

Ekipe që sigurisht kanë të drejtën e tyre të kontestojnë apo të paraqesin çdo pretendim.

Nga ana tjetër, siç mund të gabojnë lojtarët në parket, një gjë e tillë mund t’u ndodhë edhe gjyqtarëve, edhe pse gafat e arbitrave janë të vështira për t’u kapërdirë, pasi nuk mungojnë paragjykimet, jo vetëm në basketboll për në çdo sport.

Por a është e lehtë të jesh arbitër në Shqipëri? Sigurisht që jo! Problematikat dhe vështirësitë janë të mëdha, madje duke nisur nga ato më elementaret, nga infrastruktura, ku thuajse në të gjitha sallat 24-sekondëshi nuk funksionon sipas parametrave të FIBA-s.

Për të kaluar më pas te një aspekt shumë i rëndësishëm siç është siguria, e cila lë për të dëshiruar në çdo pallat sporti, në çdo qytet.

Siç dihet, rreth 3 vite më parë është miratuar ligji që aktivitetet sportive duhet të organizohen nga klubet me polici private, ndërsa policia e shtetit qëndron në gatishmëri në ambientet e jashtme të pallateve të sportit.

Por duke parë situatën e vështirë financiare, kemi parë punonjës klubesh që veshin nga një jelek dhe paraqiten si forca të sigurisë, diçka qesharake, por njëkohësisht shumë e rëndë që mund të ketë edhe pasojë fatale, pasi arbitrave, ashtu sikurse dhe lojtarëve nuk u garantohet siguria në aktivitete.

Ata janë të rrezikuar në çdo moment në ushtrimin e detyrës, gjë që sigurisht ka ndikim edhe në performancën e tyre në parket.

Rasti më i fundit vjen nga ndeshja përmbyllëse e javës së nëntë të Superligës, mbrëmjen e së martës në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit, takim ku përballeshin Teuta dhe Besëlidhja, dy ekipe pretendente për titullin kampion.

Gjyqtari kryesor i ndeshjes, Ervin Koçi, u detyrua ta ndërpresë plot tri herë takimin, pasi në sallë mungonte policia private, ndërsa policia e shtetit shfaqej herë pas herë në ambientet e brendshme, por më pas largohej.

Diçka absurde, por fatmirësisht nuk u shënua ndonjë incident.

Pra një gjyqtarë që përveç se duhet të bëjë sytë katër në parket për të arbitruar, duhet që të mbajë nën vëzhgim edhe punonjësit e sigurisë.

Çudira shqiptare, por që pasqyrojnë më së miri realitetin e hidhur organizativ të basketbollit në vendin tonë.

SU (1)

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"