BASKETBOLL/ Kupa e FSHB-së, festa është për Flamurtarin dhe Besëlidhjen (REZULTATET)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2022 | 11:17

BASKETBOLL/ Kupa e FSHB-së, festa është për Flamurtarin dhe Besëlidhjen (REZULTATET)

Basketbolli shqiptar ka zhvilluar trofeun e parë zyrtar për sezonin 2022-2023, Kupën e FSHB-së, që më tepër konsiderohet si një kompeticion testues në prag të kampionatit.

BASKET

Janë Flamurtari për femra dhe Besëlidhja për meshkuj ekipet që kanë festuar në pallatin e sportit “Dhimtraq Goga”, duke u shpallur kampione të këtij kompeticioni.

FEMRAT – Në radhët e femrave, në finale u gjendën përballë Flamurtari që kishte eliminuar në gjysmëfinale Studentin dhe në anën tjetër Tirana, që kishte kaluar me sukses derbin ndaj Partizanit.

Ashtu sikurse edhe një sezon më parë, trofeu i Kupës së FSHB-së shkoi për vlonjatet, të cilat triumfuan ndaj vajzave bardheblu me rezultatin 81-74.

FE (1)

Ndeshja ishte e luftuar dhe me rivalitet nga të dyja kampet, por kampionet në fuqi të Shqipërisë u treguan më të sakta.

Lojtarja e ndeshjes ishte Samra Omerbasiç, e cila udhëhoqi skuadrën vlonjate, duke realizuar 34 pikë në këtë sfidë.

BASKET 1

MESHKUJT – Disa muaj më parë Besëlidhja do të arrinte një rezultat historik duke i ngjitur në Superligë, ndërsa tashmë lezhjanët i gëzohen edhe trofeut të parë zyrtarë në elitën e basketbollit shqiptar.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Artan Terihati, pasi kishte eliminuar në gjysmëfinale Teutën, ka arritur të bëjë një tjetër mrekulli duke mposhtur në finale edhe Tiranën.

Pas një beteje të vërtetë në parket deri në sekondën e fundit, me kohën e rregullt që u mbyll 86-86, ekipi lezhjan u tregua më qartë dhe më i freskët në shtesë, duke triumfuar 100-97 në shifra të përgjithshme.

Njeriu ndeshjes ishte amerikani Jamesio Rhine, protagonist me një paraqitje fantastike, duke realizuar plot 43 pikë për lezhjanët.

Spikati gjithashtu edhe Alban Çela, autor i 23 pikëve.

Për Tiranën shënuesi më i mirë ishte Endrit Hysenagolli me 28 pikë. Kështu gjithçka u mbyll me ekipin lezhjan që i gëzohet një trofeu të merituar, me kapitenin Çela që ngriti lart kupën, të cilën ja dorëzoi presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari.

Kështu Besëlidhja nis në mënyrën më të mirë një edicion, ku duket se do të ketë një rol protagonisteje, kjo edhe falë një merkatoje shumë aktive, me plot 4 lojtarë amerikanë në përbërje.

ME (1)

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"