Basketboll femra/ Trajnere re në krye të Kombëtares, Alibegaj merr drejtimin e skuadrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2019 | 12:10

Basketboll femra/ Trajnere re në krye të Kombëtares, Alibegaj merr drejtimin e skuadrës

Mirza Alibegaj nga dje është zyrtarisht trajnerja e Kombëtares së Shqipërisë në basketboll për femra. Ky është vendimi më i fundit i Federatës Shqiptare të Basketbollit në prag të fushatës së ndeshjeve kualifikueseve për Kampionatin Europian të vitit 2021, i cili do të nisë në muajin nëntor.

alibegaj

Alibegaj nuk ka shumë nevojë për prezantime, pasi trajnerja aktuale e Tiranës nuk do ta ketë për herë të parë që do të ofrojë eksperiencën e saj në rangjet e përfaqësueseve, duke kujtuar se më parë ka qenë edhe trajnerja e Kombëtares së Shqipërisë për grup-moshën U18 në basketboll.

Përtej kontributit të madh si lojtare e Tiranës, Luftëtarit apo dhe e Kombëtares së Shqipërisë, pritet që Mirza Alibegaj tashmë të transmetojë vlerat e saj më të mira edhe te përfaqësuesja e vajzave. Nuk do të jetë e lehtë, aq më tepër që Shqipëria do të jetë përballë disa skuadrave me shumë eksperiencë në këtë sport, si Lituania, Serbia dhe Turqia.

Dy ndeshjet e para për Alibegajn do të jenë në muajin nëntor, pikërisht në transfertë me Lituaninë (më 14 nëntor, ora 18:30) dhe më 17 nëntor, në orën 16:00, te pallati i sportit “Dhimitraq Goga” në Xhafzotaj, ku do të bëjë vizitë Serbia. Pas ndeshjeve të fundjavës të kampionatit, më 5 nëntor përfaqësuesja e vajzave do të nisë grumbullimin nën drejtimin e Alibegajt, në një mision që në letër duket shumë i vështirë, ndonëse në sport, fjala e pamundur nuk ekziston.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"