BASKETBOLL FEMRA/ Partizani fiton Superkupën, Flamurtari “KO” në finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 23, 2021 | 9:27

BASKETBOLL FEMRA/ Partizani fiton Superkupën, Flamurtari “KO” në finale

Partizani në basketboll për femra është shpallur fituese e Superkupës së Shqipërisë për vitin 2021, duke e futur për herë të parë në histori këtë trofe në muzeun e klubit.

PARTIZANI BASKET FEMRA 1

Kryeqytetaset, që vinin këtë finale si fituese të Kupës, mundën dje Flamurtarin, ekipin kampion në fuqi, me rezultatin 62-65. Ndeshja e zhvilluar në pallatin e sportit “Asllan Rusi” ishte shumë e bukur, me përmbysje dhe ripërmbysje, teksa të dyja skuadrat luftuan deri në sekondën e fundit.

Por Partizani u tregua më i saktë dhe më i freskët, duke bërë të tijin trofeun. Të kuqet e Ledina Koçit treguan se edhe me një ekip krejtësisht me përbërje shqiptare, falë organizmit të mirë mund të arrihet te trofetë. Ornela Lalaj me 16 pikë, 15 kërcime dhe 3 asiste, si dhe Aida Palko me 19 pikë dhe 9 kërcime ishin lojtaret më të mira në radhët e Partizanit në finale.

Ndërkohë, në krahun tjetër, Flamurtari që në këtë takim paraqitej me 5 lojtare të huaja dhe me vetëm një nga Shqipëria (Memushin), nuk pati freskinë fizike. Kujtojmë që vetëm një ditë para finales, vlonjatet kishin zbritur në parket në Ligen Unike. Amerikania Obryan me 23 pikë dhe 10 kërcime ishte më e mira te vlonjatet.

PARTIZANI BASKET FEMRA

NDESHJA – Flamurtari e filloi disi më mirë, teksa kishte një kryesim të lehtë në minutat e para, por në fundin e periodës së parë Partizani ktheu gjithçka në favor dhe e fitoi këtë fraksion loje 15-17. Të kuqet e ruajnë epërsinë edhe gjatë periodës së dytë, madje shkëputen deri në +11 pikë, por në fund vlonjatet e reduktojnë disi dizavantazhin, me pjesën e parë që mbyllet 27-34 për kryeqytetaset.

Pas pushimit bregdetaret e trajnerit Erion Hoxhaj u zgjuan dhe nisën rikuperimin, ku falë fitores 20-9 në periodën e tretë i përmbysën shifrat në 47-43, kur kishin mbetur edhe 10 minuta nga fundi. Perioda e katërt është dramatike. Xhulia Velisa me një kosh për 2 i barazon shifrat në 62- 62, kur kanë mbetur edhe 1’45 lojë, ndërsa më pas kapitenia Ornela Lalaj me një kosh për 2 dhe një gjuajtje të saktë të lirë vulos suksesin e Partizanit me 3 pikë avantazh.

Më tej në parket shpërthen festa e të kuqeve, të cilat marrin me meritë të plotë trofeun e Superkupës, duke u shpërblyer për punën dhe projektin e nisur rreth 4- 5 vite më parë, me Partizanin që filloi gjithçka nga zeroja.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, i dorëzoi trofeun kapitenes Ornela Lalaj, me të kuqet që kurorëzohen kështu si fituese të Superkupës, duke e mbyllur vitin në mënyrën më të mirë.

BAS

BAS 1

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"