BASKETBOLL FEMRA/ Kombëtarja U-20 gati për Europianin, trajneri Xheka: Të luajmë denjësisht

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2022 | 13:21

BASKETBOLL FEMRA/ Kombëtarja U-20 gati për Europianin, trajneri Xheka: Të luajmë denjësisht

Shqipëria edhe në këtë edicion do të përfaqësohet në kompeticionet Europiane të FIBA-s me të gjitha kombëtaret e moshave, ndërsa skuadra e parë që do t’i hapë garat do të jetë ajo U-20 për vajza. Nga data 9 deri më 17 korrik në Shkup, vajzat kuqezi do të zhvillojnë takimet e tyre në Divizionin B, ku janë shortuar në një grup të hekurt kundër Greqisë, Turqisë, Ukrainës dhe Zvicrës. Në prag të debutimit në Europian, trajneri Vladimir Xheka, i cili së bashku më asistentin e tij, Klarent Dedaj, do të drejtojnë skuadrën në këtë event, tregon përgatitjet skuadrës. 37-vjeçari është i vetëdijshëm për vështirësitë e të luajturit me kundërshtarë të tillë, megjithatë thekson se pjesëmarrja në këto evente është shumë e rëndësishme për moshat.

Basket femra U20

 

Xheka, si e keni parë skuadrën gjatë grumbullimit?

Skuadra është gati për të bërë një paraqitje sa më dinjitoze në këtë Kampionat Europian. Jemi koshientë që grupi është shumë i fortë, për të mos thënë më i forti nga të mundshmit, por ne jemi stërvitur për të dhënë maksimumin dhe për të përfaqësuar sa më mirë Shqipërinë. Kemi bërë stërvitje në Tiranë në “Asllan Rusi” dhe prej dy javësh jemi në grumbullim në ambientet e Akademisë “Goga Basket” me të gjitha kushtet e nevojshme të mundësuara nga FSHB-ja në bashkëpunim me Goga Basket.

Me çfarë objektivash do të shkoni në Europian?

Objektivat tona janë për të dhënë maksimumin dhe për të bërë një paraqitje sa më dinjitoze, sepse jemi koshientë që të përfaqësosh Shqipërinë në një kompeticion të tillë, bëhet fjalë për Divizionin B, ku janë ekipe shumë të forta për nivelin e basketbollit tonë të femrave, është një krenari dhe kënaqësi e madhe për ne.

Përballë do të gjeni skuadra shumë të forta, ndërsa Shqipëria e vajzave, siç dihet, prej vitesh ka vuajtur mungesën e lojtareve…

Vështirësia dihet, sepse po flasim për Greqinë, Turqinë, Zvicrën dhe Ukrainën, por ne jemi stërvitur për të dhënë maksimumin. Stafi ka bërë një përzgjedhje të kujdesshme, edhe pse për këtë grupmoshë është edhe më e vështirë, duke qenë se është një moshe delikate dhe disa vajza zgjedhin të tërhiqen nga basketbolli, e disa të tjera duhet të luftojnë fort për të zënë vendin e tyre në ekipet përkatëse. Por pavarësisht këtyre vështirësive, kemi ndërtuar një ekip simpatik dhe me vajza të mira. Tetë lojtare janë të vitlindjes 2002-2003, tre prej tyre 2004 si dhe një vajzë 2005-ës. Mendojmë se angazhimi i tyre në Divizionin B do të jetë një plus i madh kur të përfaqësojnë Kombëtaren në grupmoshën e tyre që do luajnë pasi të kthehemi nga Shkupi.

Sipas jush, sa të vlefshme janë këto pjesëmarrje për moshat?

Mendoj se pjesëmarrja në aktivitete të tilla i duhet dhe i shërben shumë basketbollit për të kuptuar se deri ku mund të arrijnë, apo çfarë niveli duhet të arrijnë, duke qenë se në vendin tonë mungojnë shembujt për t’i ndjekur. Gjithashtu u jep mundësi dhe i nxit edhe më tepër për t’u stërvitur e për të dhënë maksimumin, si dhe për të mos mbetur në vendnumëro e të kënaqen me aktivitetet kombëtare. E për më tepër, duke qenë se ekipet shqiptare nuk përfaqësohen në kompeticione ndërkombëtare, pjesëmarrja me Kombëtaret mbetet domosdoshmëri, sepse në të kundërt, do vetizoloheshim.

kalendari

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"