BASKETBOLL FEMRA/ Flamurtari “shtrin” Partizanin në raundin e parë të finaleve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2023 | 12:51

BASKETBOLL FEMRA/ Flamurtari “shtrin” Partizanin në raundin e parë të finaleve

Është Flamurtari skuadra fituese në finalen e parë të “play off”-it në Kategorinë e Parë të basketbollit për femra. Vlonjatet e trajneres Elona Hasanaj e kanë filluar me këmbë të mbarë serinë e finaleve, duke triumfuar në sfidën e parë ndaj Partizanit.Collage Maker-24-Apr-2023-12-24-PM-2187

Në një ndeshje të udhëhequr nga fillimi e deri në fund, kampionet në fuqi fituan me rezultatin 73-58 përballë të kuqeve. Në krahun tjetër, skuadra e Eliverta Bujarit duket se vuajti anën psikologjike, duke mos mundur që ta linte pas krahëve ngarkesën psikologjike të polemikave të mëdha që solli gjysmëfinalja e dytë në derbi. NDESHJA – Të mbështetura nga publiku i zjarrtë në Vlorë, vendëset e filluan lojën me entuziazëm, për të bërë një periodë të parë shumë të mirë.

Kështu Flamurtari e nis vrullshëm, për ta fituar periodën e parë 20-13. Edhe në çerekun e dytë, ishin vlonjatet ato që bënë më mirë, duke e fituar periodën 20-17, për të kryesuar 40-30 pas gjysmës së ndeshjes. Edhe me rikthimin në parket për periodën e tretë, është Flamurtari që e kontroll lojën, ndërsa Partizani nuk arrin që të reagojë. Kështu kampionet në fuqi e fitojnë edhe këtë periodë 16-11, ndërsa e thellojnë avantazhin në shifra të përgjithshme në 56-41 pas 30 minutash. Perioda e katërt nuk ndryshon asgjë, 10-minutësh që mbyllet 17-17, duke vulosur kështu triumfin përfundimtar me +15 pikë diferencë në favor të vendëseve, me vlonjatet që në fund morën edhe përgëzimin e kryebashkiakut Dritan Leli për triumfin në këtë finale.

Mirela Lugaj me 23 pikë, 7 ribaunde dhe 3 asiste kundër ish-skuadrës së saj, ishte lojtarja më e mirë e finales së parë, duke udhëhequr Flamurtarin në këtë sukses. Shkëlqyen gjithashtu edhe Liliane Ndongbwo me 17 pikë e 11 ribaunde, si dhe Samra Omerbasiç me 11 pikë e 13 ribaunde. Te Partizani rendimentin më të lartë e kishin Lasonja Edwards me 13 pikë e po kaq ribaunde, si dhe Ornela Lalaj me 10 pikë e 9 ribaunde. Tashmë finalja do të zhvendoset në kryeqytet, ndërsa mbetet për t’u zyrtarizuar data dhe orari nga Federata Shqiptare e Basketbollit.

VM,.V,ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"