BASKETBOLL FEMRA/ Fitojnë derbin në Ligën Unike! Partizani, “shuplakë” mbarëkombëtare Tiranës (REZULTATET DHE RENDITJA)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2022 | 11:23

BASKETBOLL FEMRA/ Fitojnë derbin në Ligën Unike! Partizani, “shuplakë” mbarëkombëtare Tiranës (REZULTATET DHE RENDITJA)

Liga Unike e basketbollit të femrave ka mbyllur dje javën e dytë me derbin mes Partizanit dhe Tiranës, takim i zhvilluar në mbrëmje në pallatin e sportit “Asllan Rusi”.

LIGA UNIKE

Ashtu sikurse pritej, sfida rezultoi e luftuar deri në sekondën e fundit, por ato që festuan ishin të kuqet, të cilat morën një fitore të merituar me rezultatin 68-64.

Vajzat e trajneres Eliverta Bujari bënë një ndeshja më të mirë se rivalet e tyre bardheblu, duke u treguar më të kthjellëta në momentet vendimtare të ndeshjes.

Me këtë fitore, Partizani vijon startin perfekt në eventin mbarëkombëtarë të basketbollit, duke iu bashkuar Flamurtarit në krye të renditjes me 4 pikë të plota.

NDESHJA – Derbi u hap me koshin e parë për Tiranën, teksa Palko finalizoi saktë për 2 pikë, ndërsa vijoi me luftë të fortë nga të dyja kampet.

Bardheblutë e panë veten deri në 5 pikë epërsi, por në çastet e fundit Partizani kaloi përpara për ta fituar periodën e parë 21-18.

Perioda e dytë foli për Tiranën, që ishte shumë më e qartë në veprimet e saj, për ta fituar këtë fraksion 12-21, duke shkuar në pushim me avantazhin 33-39.

Pas pushimit në parket shfaqet një tjetër Partizan.

Të kuqet dominojnë në lojë dhe gradualisht nisin rikuperimin, për ta fituar në fund periodën e tretë 22-10, duke përmbysur në 55-49 pas 30 minutash lojë.

Gjithsesi Tirana nuk dorëzohet dhe ndeshja merr një rrjedhë interesante, teksa vajzat bardheblu afrohen deri në 65-64, kur kanë mbetur më pak se 2 minuta nga fundi.

Por Bannister me një goditje të saktë për 3 pikë, vendos distancat në 68-64, shifra që nuk ndryshojë deri në sirenën përfundimtare, me takimin që mbyllet me festën e vajzave të Partizanit.

Ornela Lalaj ishte lojtarja MVP e derbit. Kapitenia udhëhoqi Partizanin me një dopietë dyshifrore, duke regjistruar 16 pikë dhe 22 ribaunde.

SK (1)

Ndeshje e mirë edhe për amerikanen Antoinette Bannister, e cila debutoi me 16 pikë për të kuqet.

Për Tiranën efikasitetin më të lartë e kishte Aida Palko, autore e 13 pikëve dhe 17 ribaundeve, por në kampin bardheblu ra shumë në sy mungesa e zgjedhjeve nga stoli.

SK 1 (1)

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"