BASKETBOLL FEMRA/ Faza “Play-Off”, Flamurtari dhe Partizani fitojnë gjysmëfinalet e para (REZULTATET DHE KALENDARI)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2022 | 14:04

BASKETBOLL FEMRA/ Faza “Play-Off”, Flamurtari dhe Partizani fitojnë gjysmëfinalet e para (REZULTATET DHE KALENDARI)

Basketbolli i femrave ka hapur dje fazën “play off” të kampionatit kombëtar, teksa janë zhvilluar dy gjysmëfinalet e para.

BASKETBOLL

Flamurtari dhe Partizani nuk kanë falur, teksa kanë hedhur hapat e parë drejt finales, që do të ishte një “déjà vu” e edicionit të kaluar.

FLAMURTARI-STUDENTI

Kampionet në fuqi nuk gabuan në shtëpinë e tyre, duke fituar bindshëm ndaj skuadrës studentore në shifrat 76-52. Vlonjatet e kishin lojën nën kontroll gjatë gjithë kohës, madje duke prekur avantazhin deri në +39 pikë.

Perioda e parë nisi mirë për Studentin, që në minutat e para mori një kryesim të lehtë 2-7, por vetëm kaq, pasi më tej Flamurtari dominoi.

Kështu, vendëset e fituan 10-minutëshin e parë 22-15, ndërsa shpërthyen në periodën e dytë, të cilën e fituan thellë 33-7, duke shkuar në pushim me epërsinë e përgjithshme 55-22.

Në pjesën e dytë vlonjatet e ulën ritmin, teksa triumfuan minimalisht në periodën e tretë 13- 11, ndërsa në 10-minutëshin e fundit ishte Studenti më mirë, duke fituar 8-19.

Por në shifra të përgjithshme suksesi i Flamurtarit ishte “i salduar” me +24 pikë avantazh.

I gjithë formacioni i Flamurtarit regjistroi dopioshifër pikësh, ndërsa më e mira ishte Samra Omerbasiç me 22 pikë, 17 kërcime dhe 6 asiste. Për Studentin spikati Stela Shallo me 16 pikë dhe 9 kërcime.

SKE 4

PARTIZANI-TIRANA

Të kuqet e Ledina Koçit bënë të tyrin derbin, duke triumfuar në “Asllan Rusi” kundër vajzave bardheblu 96- 91, pas një takimi mjaft të bukur. Partizani e filloi me “marsh” të pestë, teksa pas 3 minutash lojë ishte në epërsi 14-0, për ta fituar periodën e parë thellë 39-15.

Por kur dukej se do të kishim një sfidë me sens unik, Tirana zgjohet dhe nis rikuperimin. Skuadra e drejtuar nga Mirza Alibegaj bën një ndryshim të madh në lojën e saj, ndërsa fiton periodën e dytë 16-20.

Kështu, pas 20 minutash Partizani udhëheq 55-35. Në periodën e tretë Tirana vijon ofensivën, duke fituar 19-28, për të ngushtuar në 74-63 pas 30 minutash lojë.

Tirana ruan të njëjtin ritëm edhe në gjysmën e parë të periodës së fundit, teksa arrin që të bëjë edhe përmbysjen e “çmendur”, duke marrë kryesimin 81-86 kur kishim mbetur edhe 5 minuta e 24 sekonda nga fundi.

Por Partizani, i udhëhequr nga një super Aida Palko, gjen forca në momentet vendimtare për ta fituar ndeshjen me 5 pikë diferencë. Ishte pikërisht lojtarja gjirokastrite “MVP” e derbit, duke regjistruar 29 pikë dhe 11 kërcime, me indeks 32.

Dopietë dyshifrore arritën edhe Ornela Lalaj me 17 pikë e 10 kërcime, si dhe Xhulia Velias me 16 pikë e 11 kërcime. Për Tiranën spikati Klea Verri, autore e 36 pikëve. Më 1 maj do të jetë radha e gjysmëfinaleve të kthimit.

SKE 5

KL 2

ARTIN LLESHAJ / ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"