BASKETBOLL/ “Euro 2022”, Shqipëria e përfundon me tri medalje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2022 | 12:10

BASKETBOLL/ “Euro 2022”, Shqipëria e përfundon me tri medalje

Shqipëria mbylli një tjetër edicion në ko mpeticionet europiane të basketbollit të moshave që organizohen çdo verë nga FIBA. Edhe këtë vit kuqezinjtë e sportit të koshit u përfaqësuan me të gjitha grupmoshat (U-20, U-18 dhe U-16), pra plot gjashtë kombëtare, tri për vajza e po kaq për djem, ku i gjithë muaji korrik e gjeti në parket të ardhmen e basketbollit shqiptar. Rezultatin më të lartë e shënoi përfaqësuesja U-18 e djemve, e cila u shpall kampione në Divizionin C. Në zonën e medaljeve u futën gjithashtu edhe ekipi U-18 i vajzave dhe ai U-16 i djemve. Por le t’u hedhim një vështrim të gjitha paraqitjeve të ekipeve kuqezi në këto kompeticione.

WhatsApp Image 2022-08-02 at 11.34.42 AM

SKUADRAT U-20

Shqipëria e kësaj grupmoshe si për djem ashtu edhe për vajza u përfaqësua në Divizionin B, duke pasur kështu kundërshtarët më të fortë përballë. Kombëtarja e vajzave, e drejtuar nga trajneri Vladimir Xheka dhe asistenti i tij Klarent Dedaj, ishte e para që zbriti në paket për sfidat europiane. Vajzat kuqezi u shortuan në një grup të hekurt dhe debutuan më një disfatë shumë të thellë me Greqinë, për t’i humbur më pas të gjitha takimet në grup. Megjithatë, më tej në ndeshjet për renditjen përfundimtare 9/18, skuadra gjeti forca dhe mori dy fitore shumë të bukura ndaj Armenisë dhe Gjeorgjisë, për ta përfunduar Divizionin B që u mbajt në Shkup, në vend të 14-të, duke lënë pas ekipe si Kosova, Armenia, Kroacia dhe Gjeorgjia. Për t’u veçuar ishte paraqitja fantastike nga Ornela Muça, e cila ishte edhe lojtarja me mesataren më të lartë të pikëve për ndeshje (22.3) në këtë divizion. Kështu, ndonëse pritshmëritë ishin të ulëta, Shqipëria arriti që të lërë gjurmë. Për sa i përket Divizionit B, ai u fitua nga Mali i Zi. Duke kaluar te përfaqësuesja e djemve për këtë grupmoshë, Shqipëria e drejtuar nga trajneri Melzin Lazimi e mbylli divizionin në vend të 15-të mes 19 shteteve pjesëmarrëse, me takimet që u luajtën në Tblisi të Gjeorgjisë. Kuqezinjtë arritën që të merrnin dy fitore përballë bashkëmoshatarëve të tyre nga Sllovakia dhe Rumania. Spikatën lojtarët Xhersido Hajdari, Richard Lilaj dhe Marvin Prodani. Kampione e divizionit u shpall Serbia.

WhatsApp Image 2022-08-02 at 11.34.42 AM (1)

u20

SKUADRAT U-18

Përfaqësueset kuqezi të këtyre grupmoshave si për djem ashtu edhe për vajza, morën pjesë në një kategori më inferiore, pasi konkurruan në Divizionin C. Shqipëria U-18 shkëlqeu duke u ngjitur në podium me djemtë dhe vajzat. Rezultatin më të lartë e shënoi kombëtarja e djemve, e drejtuar nga trajneri Besim Dervishaj, duke fituar titullin kampion në Divizionin C të Europianit që u mbajt në San Marino. Kuqezinjtë bënë paraqitje mjaft të mira, teksa morën 5 fitore në 6 ndeshje, duke e mbyllur me festë kompeticionin. Aleksis Nika ishte lojtari më mesataren të lartë të ribaundeve për ndeshje (15.0) në këtë divizion. Ndërsa Kelt Qilimi ishte asistuesi me mesataren më të lartë në turne (7.5 për ndeshje). Për t’u veçuar ishte edhe ndeshja e jashtëzakonshme në finale nga Enzo Zotaj, protagonist me 41 pikë. Me medalje doli edhe ekipi vajzave, i drejtuar nga trajnerja Elona Hasanaj. Shqipëria e kësaj grupmoshe u rendit në vend të tretë mes gjashtë shteteve. Në paraqitjet individuale në radhët e vajzave kuqezi, spikatën Brikena Muçenji, Anisa Bokrina dhe Sajda Danaj. Divizioni C i vajzave që u mbajt në Andorra, u fitua nga Gjeorgjia.

u18

SKUADRAT U-16

Edhe përfaqësueset U-16 morën pjesë në Divizionin më të ulët të Kampionatit Europian, në atë C, kompeticion që u zhvillua në Prizren. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Bruno Hoxha fituan 3 takime, duke siguruar një vend në zonën e medaljeve, teksa u renditën të tretët mes tetë skuadrave konkurruese. Lojtari me rendimentin më të lartë në kombëtaren tonë ishte Viktorio Hida. Fituese e divizionit u shpall Andorra. Edhe këtë verë Shqipëria ishte vend organizator për eventet e FIBAs, teksa në Korçë u luajtën takimet e Divizionit C.

u16

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"