Basket, Vllaznia prish “mallkimin” kundër Kamzës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2022 | 16:05

Basket, Vllaznia prish “mallkimin” kundër Kamzës

Liga Unike e basketbollit të meshkujve ka mbyllur dje takimet e javës së nëntë të sezonit të rregullt.

LIGA UNIKE

Falë fitores ndaj Pejës, Golden Eagle Ylli vijon marshimin në krye të kompeticionit mbarëkombëtar, ndërsa triumf regjistroi edhe Vllaznia që mposhti Kamzën në Shkodër, në një sfidë ku përballeshin ekipet e fundit të tabelës.

PEJA-YLLI – Kjo ishte pa diskutim edhe sfida më e fortë e javës, që mund të konsiderohet edhe si finalja e parakohshme e Ligës Unike. Një ndeshje që vendosi përballë respektivisht nënkampionët dhe kampionët në fuqi. Golden Eagle Ylli mori një fitore me vlera në transfertë, teksa triumfoi në shifrat 87-90 (22-20, 27-18, 22-20, 16-32).

Ndeshja ishte shumë e luftuar, por kryesuesit e Ligës Unike e bënë diferencën në periodën e fundit, duke realizuar edhe përmbysjen vendimtare të rezultatit. Kjo ishte fitorja e tetë në nëntë ndeshje për Yllin, që nis shkëputjen në krye të renditjes.

Për sa u përket paraqitjeve individuale, Henrik Sirko me 24 pikë e 11 kërcime dhe Gëzim Morina me 22 pikë e 8 kërcime, ishin më decizivët në suksesin e Yllit. Ndërsa për Pejën nuk mjaftoi paraqitja fantastike Stephen Maxwell, autor i 32 pikëve dhe 6 kërcimeve.

VLLAZNIA-KAMZA – Pas katër humbjeve në të gjitha kompeticionet përballë Kamzës gjatë këtij sezoni, më në fund Vllaznia e ka prishur “mallkimin”. Kuqeblutë fituan dje në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” me rezultatin 85-79 (24- 18, 27-21, 14-25, 20-15), duke marrë suksesin e dytë në këtë edicion në Ligën Unike.

Kështu trajneri Fabian Gjuka e ka nisur me këmbë të mbarë debutimin në pankinën shkodrane, duke marrë një triumf që i jep më shumë moral skuadrës.

Për sa i përket takimit, Vllaznia ishte superiore në dy periodat e para, ndërsa Kamza reagoi mjaft mirë në çerekun e tretë të takimit, duke vendosur baraspeshë. Megjithatë, vendësit nuk falën dhe në periodën e fundit vulosën suksesin.

Te Vllaznia spikati Butler me 22 pikë, 8 kërcime e 8 asistime, kurse te Kamza shkëlqeu amerikani tjetër, Eldridge, protagonist me një dopietë dyshifrore, teksa regjistroi 24 pikë dhe 10 kërcime. Kujtojmë se të mërkurën Teuta mundi Rahovecin 83-80, ndërsa Prizreni mposhti Tiranën 107-89.

renditja basket

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"