BASKET/ Vllaznia fiton në transfertë, kuqeblutë leksion malazezëve të Rozhajes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2020 | 12:13

BASKET/ Vllaznia fiton në transfertë, kuqeblutë leksion malazezëve të Rozhajes

Vllaznia në basketboll për meshkuj ka siguruar një fitore shumë të rëndësishme në Ballkan Ligë, teksa dje triumfoi në transfertë ndaj Ibar Rozhajes me rezultatin 66- 82. Shkodranët dhuruan një paraqitje të shkëlqyer ndaj malazezëve duke marrë suksesin e katërt në këtë kompeticion. Kështu faza e tretë e Ballkan Ligës po vijon në mënyrë fantastike për kuqeblutë, të cilët arrijnë të marrin suksesin e dytë brënda shtatë ditëve, duke iu afruar edhe më shumë kualifikimit për në “play off”.88058868_814764245676873_3614043056338108416_o

Pjesa e dytë ishte vendimtare për skuadrën e Darko Vujaçiç, pasi aty kuqeblutë shpërthyen dhe bënë diferencën. Lojtari i ndeshjes ishte amerikani Tomas, i cili regjistroi 20 pikë, 8 rikuperime në tabelë dhe 4 asiste, duke udhëhequr Vllazninë drejt triumfit. Ndërkohë, statistika dyshifrore pikësh regjistruan edhe Ros (17), Vujoviç (14) dhe Kusovac (10). Falë këtij rezultati, shkodranët barazohen me pikë pikërisht me Ibar Rozhajen, ndonëse malazezët kanë avantazhin e takimeve direkte, ku kanë triumfuar në dy ndeshjet e mëparshme ndaj Vllaznisë.

NDESHJA – Në minutat e para Vllaznia merr një avantazh të lehtë duke kryesuar fillimisht 3-7, por vendësit i kthejnë shifrat në favorin e tyre dhe e fitojnë periodën e parë 19-12. Por superioriteti i Ibar Rozhajes merr fund këtu, pasi më tej është Vllaznia që dikton në lojë. Kuqeblutë e fitojnë periodën e dytë me rezultatin 18-22, ndërsa ekipet shkojnë në pushimin mes dy pjesëve me avantazhin prej tri pikësh të malazezëve (37-34).
88270183_814706912349273_5229827779071049728_o

Perioda e tretë starton me tri pikë të shkodranëve, ndërsa për disa minuta loja karakterizohet nga një rivalitet i lartë, ku do të kemi disa herë barazime në pikë. Por në gjysmën e dytë të këtij fraksioni kuqeblutë fillojnë të dominojnë dhe e fitojnë këtë 10- minutësh 13-23, duke kryesuar në rezultatin e përgjithshëm 50-57, ku ka mbetur edhe perioda e fundit për t’u zhvilluar.

Por deri në fund të takimit nuk do të ndryshojë më asgjë, pasi Vllaznia jo vetëm që e menaxhon mirë rezultatin, por madje e thellon atë, teksa e fiton periodën e katërt 16-25 duke e vulosur të gjithë ndeshjen në shifrat 66-82. Ndeshja e radhës për Vllazninë në Ballkan Ligë do të jetë më 18 mars në Kosovë ndaj Rahovecit.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"