BASKET/ Teuta shkatërron Tiranën, Besëlidhja likuidon Apoloninë (REZULTATET DHE RENDITJA)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2023 | 10:50

BASKET/ Teuta shkatërron Tiranën, Besëlidhja likuidon Apoloninë (REZULTATET DHE RENDITJA)

Superliga e basketbol lit të meshkujve ka zhvilluar dje takimet e javës së 18-të. Teuta fitoi bindshëm kryendeshjen e javës kundër Tiranës, ndërsa Besëlidhja likuidoi në shifra të thella Apoloninë. Kështu, durrsakët dhe lezhjanët vijojnë marshimin e tyre me pikë të barabarta në krye të tabelës, por në vend të parë mbetet skuadra e drejtuar nga Melzin Lazimi falë bilancit më të mirë në përballjet direkte. Asnjë problem për Kamzën, që siguroi fitore në transfertën kundër Vllaznisë.

teuta tirana basket

TEUTA-TIRANA – Superfida e javës së 18-të mes Teutës dhe Tiranës u fitua thellë nga bregdetarët me rezultatin 90-63 (21-10, 25-20, 27-10, 17-23).

Kampionët në fuqi nuk falën në “Ramazan Njala”, duke u shfaqur dominues ndaj bardhebluve, teksa këta të fundit ndërprenë në Durrës serinë pozitive prej 5 fitoresh radhazi në kampionat.

Teuta e udhëhoqi takimin nga fillimi e deri në fund, madje duke shkuar deri në +39 pikë avantazh. Ky ishte suksesi i 14-të në Superligë për durrsakët, të cilët mbeten në vend të parë.

Duke kaluar te paraqitjet individuale, 5 lojtarë nga Teuta arritën kuotë dyshifrore pikësh, ndërsa rendimentin më të lartë e kishin Avery Sullivan me 19 pikë e 12 ribaunde si dhe Marcus Patterson me 20 pikë.

Për skuadrën e Erkand Karajit shkëlqeu i zakonshmi Endrit Hysenagolli, i cili shënoi dopietën e radhës dyshifrore me 17 pikë e 14 ribaunde.

97

BESËLIDHJA-APOLONIA – Lezhjanët e Afrim Bilalit nuk falën përballë fierakëve, teksa triumfuan thellë 94-64 (21-17, 28-12, 20-22, 25- 13) në pallatin e sportit “Asllan Rusi”.

Besëlidhja e bëri diferencën në periodën e dytë dhe të tretë, duke i fituar këto fraksione në shifra të thella, për të hipotekuar suksesin e 14-të në kampionat. Jordan Robinson me 22 pikë, 11 ribaunde dhe 7 asiste bëri edhe një herë tjetër liderin për lezhjanët.

Në kampin fierak, më i miri ishte Curtis Jenkins, autor i 21 pikëve, 9 ribaundeve dhe 4 asisteve. Apolonia duket e sigurt tashmë në “play out”, aty ku me shumë mundësi do të gjejë Partizanin, në betejën për një vend në elitë në sezonin e ardhshëm.

96

VLLAZNIA-KAMZA – Ashtu sikurse pritej, Kamza nuk e pati të vështirë për të marrë fitoren në Shkodër përballë Vllaznisë së vendit të fundit, të rënë matematikisht nga kategoria. Skuadra e drejtuar nga Eni Llazani triumfoi me rezultatin 74-87 (16- 20, 22-27, 18-24, 18-16) në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.

Pas minutave të para të ekuilibruara, miqtë nisën ta diktojnë lojën, duke krijuar gradualisht edhe shkëputjen në pikë. Kjo ishte fitorja e nëntë në kampionat për Kamzën, ndërsa Vllaznia vazhdon ta thellojë bilancin negativ duke shënuar disfatën e 17-të në kampionat.

Për sa u përket paraqitjeve individuale, Justin Thomas me 23 pikë ishte më i miri në radhët e miqve, ndërsa për kuqeblutë kuotën më të lartë të pikëve e regjistroi Aaron Williams (18).

95

Tashmë kanë mbetur edhe dy javë nga përfundimi i sezonit të rregullt, për t’i lënë më pas vend pjesës së nxehtë të kampionatit, “play off”-it, aty ku do të vendosen edhe fatet e titullit kampion.

98

R.GJINI/A.DUSHKU/N.GOCI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"