BASKET SUPERLIGA/ Goga thyen në shtesë Tiranën, Partizani ndëshkon Teutën. Ja situata pas javës së parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2019 | 15:51

BASKET SUPERLIGA/ Goga thyen në shtesë Tiranën, Partizani ndëshkon Teutën. Ja situata pas javës së parë

U luajtën mbrëmë në Durrës dy ndesh jet e mbetura të javës së parë, të vlefshme për Superligën në basketboll për meshkuj.

goga basket tirana

Takimet e djeshme rezultuan mjaft emocionuese dhe tepër argëtuese. Kampionët e Goga Basket mundën në një përballje dramatike ekipin e Tiranës në shifrat 95-92. Ndërkohë që nënkampionët e Teutës u thyen në shtëpi me rezultatin 64-69 nga Partizani.

GOGA – TIRANA – Sfida mes Gogës dhe Tiranës ishte e gjitha për t’u shijuar. Goga me shumë ndryshime në përbërje kishte luhatjet e saj të vazhdueshme, por falë kualiteteve që ka, mundi ta kthejë në favor rezultatin. Tirana nga ana tjetër, me një grup lojtarësh që e njohin mirë njëri-tjetrin, udhëhoqi rezultatin pothuajse gjatë gjithë kohës.

Capture

Eksperienca e pakët e disa lojtarëve, por edhe merita e vendësve ia hoqën nga duart fitoren skuadrës së drejtuar nga Erkand Karaj. Fillimi i lojës ka ritëm dhe agresivitet. Kryeqytetasit janë më të qartë në lojën e tyre. Kanë efikasitet dhe për shumë minuta kryesojnë rezultatin. Goga shfaq dëshirë, por lojtarët e saj janë më konfuzë në finalizime.

Baraspesha e periodës së parë prishet në të dytën. Në këtë fraksion loje bie edhe më shumë në sy mungesa e harmonisë në lëvizjet e lojtarëve të Gogës. Prej këtij fakti përfiton Tirana, që në vrull e sipër e mbyll pjesën e parë me 11 pikë avantazh. Pas pushimit, loja bie sërish në ekuilibër. Tirana ruan vazhdimisht diferencën e qetësisë prej 10 pikëve.

Në fraksionin e katërt Goga futet me qëllim të qartë: përmbysjen. Në 5 minutat e para asgjë nuk ndryshon. Pas këtij momenti, Tirana humbet përqendrimin dhe bie në presionin e vazhdueshëm të kundërshtarit. Vendësit rikuperojnë 11 pikë dhe ndeshja mbyllet 84-84, ku gjithçka i lihet në dorë shtesës. Këtu vendësit nuk falin më. Vendosin avantazhin e qetësisë dhe mbyllin gjithë ndeshjen në favor, duke triumfuar 95-92.

TEUTA – PARTIZANI – Në takimin tjetër mes Teutës dhe Partizanit, janë kryeqytetasit që dalin triumfues në një sfidë me shumë rivalitet. Të kuqtë bëjnë diçka më shumë se rivalët për të arritur te suksesi i merituar.

Capture1

Edhe Teuta ka pësuar shumë ndryshime në përbërje, duke aktivizuar lojtarë që njihen prej pak kohësh mes tyre. Nga ana tjetër, Partizani i Arben Fagut, i përbërë tërësisht me lojtarë shqiptarë, i bën ballë presionit të madh të tifozërisë së shumtë vendëse dhe falë organizimit, grintës dhe nivelit të lojës së lartë e nis me fitore kampionatin, duke i thyer bregdetarët 64-69.

222

ROLAND GJINI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"