BASKET SUPERLIGA/ Besëlidhja një fitore nga titulli historik, Tirana sërish KO

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2023 | 9:27

BASKET SUPERLIGA/ Besëlidhja një fitore nga titulli historik, Tirana sërish KO

Superliga e basketbollit të meshkujve ka luajtur mbrëmjen e së shtunës ndeshjen e dytë finale të “play off”-it. Ashtu sikurse në takimin e parë në “Asllan Rusi”, edhe në sfidën e dytë që u zhvillua në “Feti Borova”, ishte Besëlidhja që doli triumfuese.Collage Maker-24-Apr-2023-09-20-AM-4831

Skuadra lezhjanet e mposhti sërish Tiranën, këtë herë si udhëtuese me rezultatin 73-80, pas një finaleje shumë të luftuar, të shoqëruar me nerva të tendosura dhe pretendime për arbitrimin nga kryeqytetasit. Ekipi i Afrim Bilalit u tregua përsëri më i saktë, sidomos në gjuajtjet për 3 pikë, me 11 finalizime të suksesshme nga 28 tentativa, kundrejt vetëm 5 nga 25 të Tiranës. Kështu lezhjanët hedhin hapin e dytë drejt fitimit të titullit kampion, që do të ishte një rezultat historik për klubin verior.

NDESHJA – Perioda e parë u hap me koshin për 2 pikë nga amerikani Morris i lezhjanëve, të cilit iu kundërpërgjigj menjëherë Prodani me një gjuajtje të saktë për 3 pikë nga Tirana, duke ndezur menjëherë atmosferën në sallë. Gradualisht Besëlidhja mori një epërsi të lehtë për ta mbyllur 10-minutëshin e parë në avantazh 19-22. Lufta e fortë sportive vijoi edhe në periodën e dytë, fraksion i fituar 21-20 nga bardheblutë, ndërsa ekipet shkuan në pushimin mes dy pjesëve me avantazhin 40-42 për miqtë. Perioda e tretë ka rendiment të ulët në sulm nga të dyja kampet, fraksion që mbyllet 14-14, ndërsa pas 30 minutash rezultati në tabelë shënon 54-56 në favor të Besëlidhjes.

Perioda e fundit ishte një luftë nervash, ku nuk munguan as shkëndijat mes lojtarëve, ku mund të përmendim duelet Scekiç-Hysenagolli, Scekiç–Hamati apo në fund Morris me Bonner. Tirana arrin fillimisht të kalojë në avantazh, ndërsa kur kanë mbetur edhe 5 minuta nga fundi shifrat shënojnë një ekuilibër të plotë 63-63. Në radhët e Tiranës ka kontestime të forta për gjykimin, duke bërë që bardheblutë ta humbasin edhe kthjelltësinë në momentet vendimtare, ndërsa Besëlidhja duket më e qetë dhe arrin të tregohet më e qartë, për ta krijuar shkëputjen finale, duke vulosur suksesin me 7 pikë diferencë në finale e dytë të Superligës.

Gjithçka mbyllet kështu me lezhjanët që festojnë sërish, si dhe me protestat e forta nga ana e kryeqytetasve, të cilët akuzojnë treshen e arbitrave. Brendon Morris me 17 pikë, 7 ribaunde e 4 asiste ishte lojtari me efikasitetin më të lartë për Besëlidhjen në këtë finale, i mbështetur nga Elvis Beqo dhe Bryant Bernard me nga 21 pikë secili. Për Tiranën nuk mjaftoi paraqitja e jashtëzakonshme e Julian Hamatit, autor i 36 pikëve dhe 19 ribaundeve. Dopietë dyshifrore edhe për Endrit Hysenagollin, me 11 pikë e 13 ribaunde. Të mërkurën në orën 18:00 në “Asllan Rusi” do të jetë radha për finalen e tretë.2ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"