Basket/ Situatë kaotike në sportin e koshit, FSHB mban “peng” klubet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2020 | 12:57

Basket/ Situatë kaotike në sportin e koshit, FSHB mban “peng” klubet

Në mbledhjen e Komitetit Drejtues të Federatës Shqiptarë të Basketbollit, të mbajtur më 2 qershor, siç dihet, u vendos për rifillimin e sezonit sportiv 2019-2020, nëse do të vijë leja nga Ministria e Shëndetësisë. Ndërkohë, FSHB përgatiti edhe kalendarin, ku parashikohej rikthimi në parket më 13 qershor te femrat (do të kalohej direkt te faza finale, e cila u vendos të zhvillohet në Vlorë) dhe më 21 qershor ishte radha e Superligës së meshkujve (sezoni duhet të niste aty ku ishte ndërprerë, ndërsa të gjitha ndeshjet do të luheshin në kryeqytet, në sallën “Feti Borova”).Basket-Goga

Mirëpo, këto data mbetën thjesht virtuale, pasi ende edhe sot nuk është çelur drita jeshile nga qeveria për aktivitete sportive në salla të mbyllura dhe as që pritet që të ndodhë së afërmi. Një situatë e paprecedentë, e cila ka shkaktuar kaos dhe probleme të jashtëzakonshme financiare për të gjitha klubet. Këto të fundit prej ditësh i kanë kërkuar një përgjigje urgjente federatës se çfarë do të ndodhë me sezonin. Megjithatë, FSHB ende nuk ka asnjë reagim për këtë situatë.

Ndonëse është thënë që së shpejti do të mblidhet Komiteti Drejtues për të vendosur fatet e sezonit, ende nuk ka asnjë një njoftim zyrtar. Ndërkohë, çdo ditë që kalon është në dëm të shoqatave, të cilat po stërviten sa për t’u stërvitur (si mund të përgatitesh në rrethana të tilla, kur nuk dihet asgjë se kur do të nisë sezoni?!), ndërsa dëmi financiar sa vjen dhe rritet.

Për këtë gjendje disa klube i kanë dërguar edhe shkresa zyrtare federatës, ku kërkohet të merret një vendim sa më parë, por FSHB po e merr me qetësi dhe ende as sot nuk ka asnjë lloj vendimi për edicionin sportiv 2019-2020. Kjo sjellje e federatës po i irriton së tepërmi klubet anëtare, sepse po kalohet çdo limit kohor dhe nuk mund pritet më, sepse kështu do të kushtëzohej edhe edicioni i ardhshëm.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"