BASKET MESHKUJ/ Vllaznia nuk fal, triumfon bindshëm ndaj Eagles

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2019 | 22:32

BASKET MESHKUJ/ Vllaznia nuk fal, triumfon bindshëm ndaj Eagles

Java e gjashtë e Super ligës në basketboll për meshkuj uli dje siparin me takimin Eagles-Vllaznia. Shkodranët nuk falën dhe arritën të merrnin një fitore të thellë 64-92. Ndeshja hapet me një kosh të bukur për 2 pikë nga Nikolli për vendësit, të cilit i kundërpërgjigjet Voss me dy gjuajtje të sakta të lira. 

basketboll meshkuj

Trepikëshi i parë i ndeshjes shënohet nga Kala, që i jep avantazhin Eagles 7-4. Vllaznia nis ta kontrollojë lojën dhe Evans me një kosh të dhunshëm në zhytje dëmton edhe rrethin e koshit, me takimin që ndërpritet për disa sekonda. Megjithatë, loja vazhdon, ndonëse dallohet qartë që koshi nuk është në nivel. Miqtë kryesojnë 9-14, kanë mbetur edhe 4 minuta nga fundi i periodës së parë. Kuqeblutë me 5 të huaj në parket sulmojnë rrjedhshëm dhe e fitojnë periodën e parë me 8 pikë diferencë 17-25.

Perioda e dytë fillon me gabime të shumta nga të dyja skuadrat, por gjithsesi Vllaznia tregohet më e saktë poshtë tabele dhe e thellon avantazhin në 21-34. Lojtarët e Eagles duken nervozë dhe në disa momente kontestojnë edhe vendimet e gjyqtarëve, ndërsa amerikanët e Vllaznisë kanë qetësinë që të jep avantazhi dhe arrijnë ta thellojnë edhe më tepër diferencën duke i dërguar shifrat në 27-52, e më pas duke i thelluar edhe më shumë, ku skuadrat shkojnë në pushimin ndërmjet dy pjesëve me epërsinë e miqve 29-57.

2211

Perioda e tretë hapet me një gjuajtje të saktë për 3 pikë nga Tomas i Vllaznisë dhe trajneri bullgar Gospodinov, pas Shestanit nis t’u japë minutazh edhe lojtarëve të tjerë vendës, duke hedhur në parket Faslijën dhe Bekteshin. Madje duke parë edhe avantazhin e thellë, bullgari aktivizon edhe Rakajn duke e dërguar në 4 numrin e lojtarëve vendës. Ndërkohë që më vonë do të ketë hapësirë edhe për më të riun e ekipit Memçajn, pasi fati i sfidës tashmë duket i vendosur. Barleti Eagles e fiton minimalisht fraksionin e tretë 22-21, por në total Vllaznia kryeson bindshëm 51- 78, pas 30 minutash lojë.

Në periodën e fundit Vllaznia ka rënie në lojë e kjo gjë e bën trajnerin Gospodinov të shpërthejë, ku në pushimin e vogël u thotë lojtarëve të bëhen gati për stërvitje nesër (sot) në mëngjes, në shenjë ndëshkimi. 10-minutëshi i fundit mbyllet 13-14 për shkodranët, të cilët e fitojnë të gjithë ndeshjen 64-92. Amerikani Babb-Herrison i Vllaznisë dhe Pylla i Eagles ishin shënuesit më të mirë të takimit, të cilët realizuan nga 18 pikë secili.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"