BASKET MESHKUJ/ Tirana bën ligjin në derbi, Goga leksion Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2019 | 10:19

BASKET MESHKUJ/ Tirana bën ligjin në derbi, Goga leksion Vllaznisë

Superliga në basketbollin e meshkujve luajti dje dy ndeshjet e para për javën e pestë të Kampionatit Kombëtar. Tirana bën ligjin në derbi duke mposhtur Partizanin në një takim emocionues, ndërsa kampionët në fuqi të Gogës nuk falën në fushën e tyre duke mposhtur Vllazninë.

partizani tirana basketboll meshkuj

PARTIZANI-TIRANA

Në pallatin e sportit “Asllan Rusi” u zhvillua derbi i kryeqytetit ndërmjet Partizanit dhe Tiranës. Një takim mjaft i bukur dhe me shumë rivalitet, që i argëtoi pamasë qindra të pranishmit që e ndoqën nga afër. Perioda e parë luhet me një ritëm të lartë nga të dyja ekipet, me rezultatin që shënon 22-22.

Në fraksionin e dytë Tirana futet më e vendosur dhe fillon shkëputjen, për të shkuar më pas në pushim në avantazh 34-47. Në periodën e tretë nuk ndryshon asgjë, ndonëse Partizani përpiqet për të rikuperuar. Bardheblutë luajnë më mirë dhe me meritë ia dalin ta thellojnë edhe më tepër rezultatin, që pas 30 minutash lojë shënon 50-67, me Brarin që e mbyll periodën me një goditje të saktë për 3 pikë në favor të Tiranës.

Capture

Skuadra e Arben Fagut nuk dorëzohet dhe në periodën finale tenton kthesën, duke ngushtuar në 67-71, kur kanë mbetur edhe 4 minuta nga fundi i takimit. Shahini redukton edhe më tepër diferencën në 69-71. Sfida ndizet dhe Lasku me një 3-pikësh i dërgon shifrat në 72-73, kur kanë mbetur edhe 3 minuta lojë.

Në fund ka spektakël, ku Vaqarri për Tiranën dhe Lekndreaj për Partizanin shënojnë në pak sekonda secili nga një 3-pikësh, që pasohet me 2 pikë nga Hysaj, me Tiranën që udhëheq 75-78 kur kanë mbetur më pak se 1 minutë lojë. Jani ngushton në 77-78, më pas Hysaj gjuan saktë për 3 pikë dhe menjëherë kundërpërgjigjet Lekndreaj, por Daliu vulos fitoren e Tiranës 80-84.

GOGA BASKET-VLLAZNIA

Goga Basket rikthehet te fitorja pas humbjes ndaj Partizanit javën e kaluar. Durrsakët mposhtën në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” Vllazninë, në shifrat 81-68. Takimi nis keq për Gogën që e gjen veten në disavantazh të 7 pikëve. Është amerikani Allen që shënon koshin e parë, për t’u hapur rrugën më pas shokëve të tij, por Vllaznia arrin ta fitojë periodën e parë 18-19.

Capture1

Edhe në periodën e dytë është sërish Vllaznia që e nis disi më mirë, por Goga reagon dhe në fundin e pjesës së parë është Blagojeviç, i cili në limitet e kohës shënon për t’i mbyllur dy periodat e para 38-35 për vendësit.

Pas pushimit, loja e Gogës ka rritje të ndjeshme. Bie në sy, ashtu si edhe në ndeshje tjera, amerikani Allen, i cili falë fizikut dhe saktësisë maksimale është shndërruar në një pikë referimi për sulmin e kampionëve në fuqi. Në pjesën e mbetur të lojës, Goga i thellon edhe më shumë shifrat dhe merr një fitore mëse të merituar.

Capture2

A.Lleshaj/R.Gjini

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"