Basket meshkuj/ Tirana bën detyrën, Kamza sjell surprizën duke eliminuar Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2018 | 21:40

Basket meshkuj/ Tirana bën detyrën, Kamza sjell surprizën duke eliminuar Vllazninë

Kupa e Shqipërisë në basketboll për mesh kujt ka përcaktuar 4 gjysmëfinaliste, Teuta, Tirana, Partizani e Kamza Basket. Surpriza e këtyre takimeve çerekfinale ka ndodhur në Shkodër, ku Kamza Basket ka triumfuar ndaj Vllaznisë duke e eliminuar skuadrën, e cila drejtohet nga Bledar Gjeçaj. Teuta, Tirana dhe Partizani kanë kryer detyrat e shtëpisë duke skualifikuar përkatësisht Apoloninë, Goga Basket dhe Eagles. Skuadra kryeqytetase ka marrë një fitore, e cila nuk kishte ndonjë problem sforcimi, teksa e kanë zgjidhur kualifikimin që në pjesën e parë, kur e mbyllin me 20 pikë diferencë.

tirana basket

E nis Bazit me një trepikësh, por i menjëhershëm është Thano për Goga Basket, që realizon 5 radhazi duke e kaluar në epërsi përkohësisht Gogën. Më tej nuk ka më histori, pasi Tirana vendos diktat duke e mbyllur periodën e parë me një trepikësh të shkëlqyer të Strazimirit 31-17. Në periodën e dytë, trajneri Dukas lë në fushë vetëm Gerti Shimën duke freskuar skuadrën dhe arrijnë të fitojnë edhe në periodën e dytë 18-12. Gjatë pjesës së dytë të ndeshjes, në fillimin e saj, skuadra kryeqytetase lëshon shumë nga loja e saj dhe nuk impenjohet sa duhet, kësisoj e humbet periodën e tretë 16-17. Në të katërtën, bardheblutë luajtën me synimin e mosngushtimit të diferencës duke e fituar atë 26-19 dhe të gjithë takimin 91-65.

Në takimin tjetër të kryeqytetit, ndërmjet Partizanit dhe Eagles, ka qenë një ndeshje ku skuadra e shqiponjave kishte përmirësime të dukshme nga përfundimi i dy fazave të para të kampionatit. Madje, ata kanë rivalizuar gjatë periodës së dytë duke e mbyllur me rezultat të barabartë 23-23. Gjithsesi, skuadra e të kuqve vendos fitoren vetëm në tri periodat e tjera. Kështu, pasi ka mbyllur me një diferencë prej 10 pikësh, në sajë të periodës së parë 19-9, ka fituar të tretën dhe të fundit duke e mbyllur të gjithë takimin 85- 70.

basket kupa e shqiperise

Skuadra fierake, e cila ka udhëtuar më gjatë në këtë kompeticion duke zhvilluar tri ndeshje deri më tani, i ka dhënë fund kësaj aventure teksa është eliminuar në Durrës. Kjo skuadër ka arritur të triumfojë në dy përballje si mysafire, në Elbasan 77-58 dhe në mesjavë eliminoi Skënderbeun në Korçë 63-35. Radha tani ishte përsëri jashtë fushës së saj, por duke u ndeshur në Durrës kundër Teutës së fortë, skuadra fierake nuk ka mundur dot ta përballojë dhe e ka humbur me një rezultat të thellë (-33 pikë) 92-59.

Senad Nikshiqi, Roland Gjini, Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"