BASKET MESHKUJ/ Teuta leksion Tiranës, Vllaznia thyen Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2019 | 20:16

BASKET MESHKUJ/ Teuta leksion Tiranës, Vllaznia thyen Partizanin

Superliga e basketbollit për meshkuj luajti dje dy ndeshjet e para të javës së dytë. Teuta mori fitoren e parë në kampionat, duke thyer Tiranën në kryeqytet me rezultatin e thellë 58-81.

tirana teuta basketboll meshkuj

Takimi i luajtur pasditen e djeshme në “Farie Hoti” u dominua nga fillimi e deri në fund nga miqtë, të cilët morën një sukses më se të merituar përballë bardhebluve, ku këta të fundit regjistrojnë disfatën e dytë në po kaq javë. Ndeshja nis furishëm për bregdetarët, të cilët marrin kryesimin 9-0 që në start, falë 5 pikëve radhazi të Hysenagollit, të shoqëruara me nga një kosh për 2 pikë të amerikanëve MekDevit dhe Pelisier.

Koshi i parë bardheblu mban firmën e Daliut që ngushton shifrat në 2-9, por në aksionin pasardhës Gorea realizon saktë një gjuajtje për 3 pikë dhe e dërgon rezultatin në 12-2 për Teutën. Tirana provon të afrohet me anë të gjuajtjeve për 3 pikë me të zakonshmin Vaqarri, por tentativat e tij nuk janë të suksesshme. Durrsakët e menaxhojnë mirë lojën dhe e mbyllin periodën e parë në avantazh 20- 9.

Capture

Perioda e dytë është disi më e ekuilibruar, ku Tirana arrin ta mbyllë këtë fraksion me epërsinë e lehtë 18-17. Spikat Vogli me dy goditje radhazi të sakta për 3. Megjithatë, janë miqtë ata që udhëheqin 37-27, pas përfundimit të pjesës së parë. Pas pushimit Teuta e rrit edhe më tepër nivelin e lojës, ndërsa bardheblutë kanë vështirësi, sidomos në lojën sulmuese.

Rezultati pas 30 minutash lojë shënon 57-41 në favor të miqve. Në periodën e fundit durrsakët tregohen të papërmbajtshëm dhe shkëputen deri në +31 pikë. Duke parë diferencat e parikuperueshme, të dy trajnerët u japin më shumë hapësirë lojtarëve të stolit dhe gjithçka mbyllet me fitoren e Teutës, ndërkohë që Tirana pëson disfatën e dytë.

Kapiteni i Teutës, Kristi Gorea, ishte lojtari i ndeshjes me 22 pikë, ku u tregua i saktë në 4 nga 7 tentativat e tij për 3 pikë. Te durrsakët ra në sy gjithashtu loja mjaft e mirë në grup, ku përveç Goreas edhe 3 lojtarë të tjerë regjistruan statistika dyshifrore në aspektin realizues (Pelisir 11, MekDevit 12 dhe Bakiç 12). Te bardheblutë më të mirët ishin Hysaj me 15 pikë, i ndjekur nga kapiteni Shima me 12.

Partizani – Vllaznia

Në sfidën tjetër që u zhvillua në kryeqytet në pallatin e sportit “Asllan Rusi” janë përsëri miqtë që dalin triumfues duke thyer Partizanin me rezultatin 69-76. Vllaznia ka bërë një lojë të bukur, ku diferencën e bënë 4 lojtarët e huaj, të cilët janë dhe pikëshënuesit kryesorë.

Capture1

Skuadra e Partizanit nuk ka qenë e qartë si në organizim po ashtu dhe në saktësinë e gjuajtjeve, duke shpërdoruar shumë. Shkodranët kanë fituar tri periodat e para, 12-17, 16-21 dhe 15-18. Shtatlarti Evans dhe Perine ishin më të mirët për Vllazninë. Ndërsa nga Partizani u dallua si gjithnjë Jani që realizoi 23 pikë. Në periodën e fundit Algert Gjonaj që në ato momente ishte në kulmin e lojës së tij, pëson një dëmtim të rëndë në gju dhe braktis parketin.

Për t’u veçuar ishte minuta e fundit e takimit, e cila ka sjellë mjaft emocione, pasi skuadra e Partizanit brenda 40 sekondash shënon 3 trepikësha me Janin, duke ngushtuar diferencën nga 15 pikë në 6, gjë që solli dhe panik në radhët e shkodranëve, duke menduar se po u rrëshqiste fitorja nga duart. Por, miqtë e kontrollojnë më pas situatën dhe marrin suksesin e dytë, duke e nisur në mënyrë të shkëlqyer kampionatin. Sot do të luhet edhe sfida e mbetur ndërmjet Barleti Eagles dhe Goga Basket.

cccaa

A.Lleshaj/A.Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"