BASKET MESHKUJ/ Super-Goga, fiton Kupën me përmbysje, durrsakët likuidojnë Vllazninë në finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2020 | 9:16

BASKET MESHKUJ/ Super-Goga, fiton Kupën me përmbysje, durrsakët likuidojnë Vllazninë në finale

Goga Basket vijon të shkruajë historinë e klubit, ku pasi fitoi titullin e parë kampion vetëm disa muaj më parë, këtë herë i shton palmaresit edhe Kupën e parë të Shqipërisë, në basketboll për meshkuj. Skuadra private nga Durrësi triumfoi dje në një finale ndaj Vllaznisë me rezultatin 80-70. Sfida e zhvilluar në sallën “Feti Borova” të kryeqytetit dhuroi shumë emocione për të pranishmit që kishin mbushur pjesën më të madhe të sallës. Ashtu si një ditë më parë, në takimet gjysmëfinale, të dyja skuadrat kanë dhënë spektakël në parket, duke luajtur me guxim e besim deri në fund, teksa ka fituar skuadra që e ka menaxhuar më bukur ndeshjen. 

goga basket

Vllaznia ka kryesuar madje deri në 12 pikë, ku i ka fituar dy periodat e para, 14-19 dhe 20-25, duke e mbyllur pjesën e parë me 10 pikë diferencë (34-44). Goga Basket i është kundërpërgjigjur me të njëjtën monedhë në fraksionin e dytë pasi ka triumfuar në dy periodat e tjera 22-12 dhe 24-14, duke e mbyllur takimin me 10 pikë më shumë se Vllaznia.

NDESHJA – Një interesim i jashtëzakonshëm dhe një sallë e mbyllur me tifozë nga të dyja kampet, ku më të shumtë ishin shkodranët, të përfaqësuar nga grupimi “Power – 12”, bënë që atmosfera të ishte elektrizuese dhe loja kishte entuziazëm dhe gjallëri. Perioda e parë nis me një pikë të shënuar nga gjuajtjet personale të Stojaçiç për Gogën, por kundërpërgjigjja e Vllaznisë me Ross ka qenë e menjëhershme me 5 pikë, një 2- pikësh dhe më pas një 3-pikësh. Vijon të kryesojë Vllaznia deri në fund të periodës teksa e ka mbyllur 14-19. Në periodën e dytë, fillimi është për Gogën, që kërkon me anë të Blagojeviç të ngushtojë shifrat.

skeda

Ndërsa trajneri i durrsakëve, Afrim Bilali, duket disi i acaruar dhe ka ankesa ndaj arbitrit Gjoni. Vllaznia sërish luan më mirë se kundërshtari dhe e fiton edhe periodën e dytë të lojës në shifrat 20-25. Pas pushimit, Goga Basket duket krejtësisht një tjetër skuadër, ku këshillat e dhëna nga Bilali japin menjëherë rezultat. Blagojeviç dhe Allen për herë të parë barazojnë shifrat në rezultatin e përgjithshëm 52-52. Kështu baraspesha do të vijojë deri në përfundim të periodës së tretë 56-56. 10- minutëshi i fundit nis në ekuilibër të plotë, por Goga duhet të vuajë disi mungesën e Thanos që largohet pas 5 gabimeve personale. Gjithsesi skuadrën e udhëheqin tre lojtarët e huaj si Jones, Stojaçiç e Allen, duke e çuar ekipin privat te fitorja e madhe 80-70. Jones me 17 pikë dhe Blagojeviç me 16 ishin më të mirët në finale për Gogën, ndërsa 23 pikët e amerikanit Voss nuk mjaftuan për t’i dhënë suksesin Vllaznisë. Në fund të takimit në parket shpërthen festa e durrsakëve, ku dhe zhvillohet ceremonia e dorëzimit të trofeut, me presidentin e FSHB-së, Avni Ponari, që ia dorëzon kupën kapitenit Niko Thano.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"