BASKET MESHKUJ/ Kupa përcakton “Final 4”, Vllaznia leksion Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2020 | 19:49

BASKET MESHKUJ/ Kupa përcakton “Final 4”, Vllaznia leksion Partizanit

Kupa e Shqipërisë në basketboll për meshkuj tashmë ka përcaktuar edhe ekipet që do të jenë pjesë e “Final 4”. Teuta, Goga, Tirana dhe Vllaznia arritën të presin biletën për në gjysmëfinale, ku do të kenë mundësinë për të luftuar për trofeun. 

basketboll partizani vllaznia

Partizani-Vllaznia 

Kryendeshja e çerekfinaleve ishte sfida ndërmjet Partizanit dhe Vllaznisë që u zhvillua dje në pallatin e sportit “Asllan Rusi”. Ndonëse parashikohej një takim i ekuilibruar, miqtë u treguan superiorë duke marrë një fitore të merituar me rezultatin 79-95. Ndonëse për Vllazninë gjithçka nisi malore teksa ende pa u mbushur 3 minuta lojë amerikani Voss largohet me teknikë përjashtimi, kuqeblutë reaguan më së miri duke e kaluar me sukses momentin e vështirë që i shoqëroi gjatë minutave të para. Nga ana tjetër, Partizani mundi të rezistojë vetëm në periodën e parë, ku u mund minimalisht 22-24. Më pas skuadra e Arben Fagut nisi të shfaqë shenja lodhjeje dhe zgjedhjet në stol ishin tepër të limituara për teknikun e të kuqve.

Në periodën e dytë, Vllaznia arriti të bëjë shkëputjen decizive ku fiton 18-27 dhe shkon në pushim me avantazhin 40- 51. Skuadra e Vujaçiç e administron më së miri epërsinë në pjesën e dytë dhe merr një fitore pa shumë mund. BabbHarrison me 25 pikë dhe Faslija me 20, ishin shënuesit më të mirë për Vllazninë, ndërsa te Partizani më rezultativët ishin Gjyzeli me 22 pikë dhe Gjonaj me 20. Me largimin e Daniel Lekndreajt kryeqytetasit kanë humbur shumë dhe nëse nuk ndërhyjnë në merkato, duket shumë e vështirë që të rivalizojnë me skuadra si Teuta, Goga apo Vllaznia.

Teuta-Elbasani 

Teuta, liderja aktuale e kampionatit dhe fituesja në fuqi e kupës, mposhti Elbasanin 134-82, në një sfidë të dominuar totalisht. Diferencat mes ekipeve u vunë re sapo filloi loja, pasi shumë shpejt bregdetarët filluan arratinë. Më pas, nën luksin e avantazhit që thellohej gjithnjë e më shumë, lojtarët e Teutës luajnë qetë dhe pa presion. Elbasani nga ana tjetër bëri një paraqitje të mirë, duke luajtur me intensitet dhe grint. Vetëm kaq, sepse Teuta, e një tjetër niveli preu biletën për në fazën tjetër.

gOGA BASKET

 

 

Goga-Kamza 

Edhe sfida mes Gogës dhe Kamzës ishte një përballje që nuk pati shumë histori, pasi diferencat ishin aq të mëdha, saqë fati i takimit dukej i përcaktuar që në minutat e para të takimit. Skuadra e trajnerit Afrim Bilali, u shfaq gjatë gjithë kohës më agresive, më e organizuar dhe falë edhe individëve që ka në përbërje nuk iu desh të lodhet shumë. Kampionët në fuqi të Shqipërisë i fituan thellë të gjitha periodat ku rezultati përfundimtar shënoi 108-38 për skuadrën private.

Tirana-Kamza 

Asnjë problem për Tiranën në derbin ndaj Barleti-Eagles, ku arrin të triumfojë 93-64. Bardheblutë shkëputen në 17 pikë që periodën e parë dhe më pas e kontrollojnë lehtësisht takimin. Madje dyshja Hysa-Vogli ka dhuruar spektakël në parket, me kosha dhe kombinime mjaft të bukura. Ndërkohë që shkëlqyen edhe Coco (18 pikë) e Hasani (15 pikë). Në fraksionin e dytë skuadra e Eagles mundohet që të reagojë, por për skuadrën e “shqiponjave” nuk mjafton vetëm dëshira e madhe, pasi diferencat në kualitete me Tiranën janë të mëdha.

A.Lleshaj/R.Gjini/ A.Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"