BASKET/ Liga Unike, Partizani dhe Tirana kthehen me humbje nga Kosova

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 14, 2022 | 9:50

BASKET/ Liga Unike, Partizani dhe Tirana kthehen me humbje nga Kosova

Liga Unike e basket bollit të femrave ka luajtur dje dy ndeshjet e para për javën e katërt. Partizani dhe Tirana janë kthyer me disfata nga Kosova, teksa kanë humbur respektivisht kundër Bashkimit dhe Penzës.

LIGA UNIKE

PENZA-TIRANA – Vajzat bardheblu regjistruan humbjen e tretë radhazi në eventin mbarëkombëtar. Ato u mposhtën nga Penza me rezultatin 83-74 në transfertë.

Pejanet nuk falën në shtëpi, në një takim ku ishin në avantazh nga fillimi e deri në fund. Pas 3-4 minutave të para të ekuilibruara, Penza filloi shkëputjen për ta mbyllur periodën e parë në avantazh 26-19.

Edhe çereku i dytë foli për vendëset, të cilat fituan 27-19 dhe thelluan në 53-38 pas gjysmës së sfidës. Penza i ruajti distancat edhe në periodën e tretë, që u fitua minimalisht 17-18 nga Tirana, por rezultati pas 30 minutash shënonte 70-56 për vendëset.

Vajzat bardheblu provuan deri në fund ta reduktonin diferencën e pikëve, teksa fituan 18-13 periodën e katërt, por suksesi i Penzës në shifra të përgjithshme mbeti “i salduar” me 9 pikë avantazh.

Leila Omerbasiç me 32 pikë, 10 ribaunde dhe 7 asiste si dhe Aleksandra Begensiç me 16 pikë, 15 ribaunde dhe 8 asiste udhëhoqën Penzën në fitoren e dytë sezonale.

Për Tiranën spikati Aida Palko, me 21 pikë dhe 7 ribaunde, por që mbetën vetëm sa për vlerë statistikore pasi nuk shërbyen për ta shmangur humbjen e kryeqytetaseve.

11

BASHKIMI-PARTIZANI – Pas tri fitoreve, të kuqet e trajneres Eliverta Bujari pësuan disfatën e parë sezonale në Ligën Unike. Ato u mposhtën në Prizren nga Bashkimi me rezultatin 71- 69 (20-18, 23-10, 13-20, 15- 25) në një sfidë të luftuar deri në fund.

Gjysma e parë e ndeshjes foli për Bashkimin, që shkoi në pushim me epërsinë 43-28. Por në pjesën e dytë, Partizani e përmirësoi ndjeshëm lojën. Të kuqet u afruan deri në 2 pikë, 9 sekonda nga fundi, por pa mundur që të realizonin përmbysjen e madhe.

Aulona Muhadri me 16 pikë e 13 ribaunde ishte më e mira për prizrenaset, ndërsa për Partizanin nuk mjaftuan 22 pikët e amerikanes Antoinette Bannister, e cila ishte edhe pikëshënuesja më e mirë e ndeshjes.

22

Java e tretë do të mbyllet sot me ndeshjen Flamurtari-Prishtina, takim që do të zhvillohet në orën 17:00 në Vlorë.

33

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"