BASKET KOMBËTARJA/ Eliminatoret e Botërorit, Shqipëria sfidon sot Qipron

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2020 | 9:23

BASKET KOMBËTARJA/ Eliminatoret e Botërorit, Shqipëria sfidon sot Qipron

Pas disfatës dramatike të pësuar të enjten në Portugali, Kombëtarja e basketbollit të meshkujve sot do të zbresë sërish në parket për të zhvilluar ndeshjen e dytë në grup të vlefshme për paraeliminatoret e Kampionatit Botëror 2023. Kuqezinjtë e Afrim Bilalit do të përballen sot me Qipron, ndeshje e cila do të zhvillohet në sallën sportive “Dhimitraq Goga” në Xhafzotaj në orën 17:00. 

Basketboll-meshkuj-Kombetarja-cunat

Kombëtarja do të ketë në dispozicion për këtë takim edhe amerikanin me pasaportë shqiptare Dallas Mur, ndërsa vazhdojnë të mungojnë për shkak dëmtimi Ndoja dhe Ivanaj. Gjithashtu, mungon edhe Daniel Lekndreaj (gjendje gripale). Megjithatë, shpresat e Shqipërisë për t’u rikthyer te fitorja që mungon prej kohësh, janë të mëdha. Kujtojmë që 12 vite më parë Kombëtarja kuqezi, e cila në atë kohë drejtohej nga Roland Avrami, pati arritur ta thyente Qipron me rezultatin 69-63. Duke u kthyer edhe një herë te ndeshja e para tri ditëve ndaj Portugalisë, Shqipëria ishte vërtet pa fat, pasi pa t’i shpëtonte nga duart fitorja. Kombëtarja e Bilalit kryesoi në pjesën më të madhe të ndeshjes, madje arriti të shkëputej deri në +14 pikë në periodën e parë, por u mund në sekondat e fundit me rezultatin 70-62.

SHQIPERIA

Humbje në debutim pësoi edhe Qiproja, që u mposht në fushën e saj nga Bjellorusia me rezultatin e thellë 41- 97. Pas kësaj sfide Shqipëria do të rikthehet në parket më 26 nëntor, datë kur do të përballet në transfertë me Bjellorusinë, ndërsa më 29 nëntor do të presë Portugalinë. Faza paraeliminatore do ta ulë siparin me sfidat që do të luhen në shkurt të vitit të ardhshëm, ku më 18 do të luajmë në Qipro, për ta mbyllur me ndeshjen e fundit më 21 në Shqipëri ndaj Bjellorusisë.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"