BASKET FEMRA/ Flamurtari shkëlqen në Ligën Unike, thyen Prishtinën në Vlorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2021 | 19:02

BASKET FEMRA/ Flamurtari shkëlqen në Ligën Unike, thyen Prishtinën në Vlorë

Flamurtari është kre naria e Shqipërisë në Ligën Unike të basketbollit të femrave. Skuadra vlonjate po bën një paraqitje të shkëlqyer në eventin mbarëkombëtar, teksa dje ka siguruar suksesin e radhës.

liga unike

Falë fitores 64-57 që siguroi dje në Vlorë kundër Prishtinës, në takimin hapës për javën e pestë, skuadra e trajnerit Erion Hoxhaj tashmë ka marrë përkohësisht vendin e parë. Ndeshja nisi mjaft mirë për Flamurtarin, që e mbyll periodën e parë 20-15. Megjithatë, në të dytën Prishtina do të barazonte rezultatin. Në këtë periodë zhvillohet një ndeshje e barabartë nga të dyja skuadrat. Pjesa e parë do të mbyllej me shifrat 31-29.

Në periodën e tretë, Flamurtari do të rriste epërsinë me 10 pikë, teksa rezultati shënonte 43-33. Ndërsa pas 30 minutash lojë, shifrat në tabelë shënojnë 50-41 sërish për vlonjatet. Me gjithë përpjekjet e Prishtinës në 10 minutat e fundit të ndeshjes, vendaset arrijnë ta menaxhojnë deri në fund avantazhin.

Për Flamurtarin spikati amerikania Obryan, e cila bëri një paraqitje të shkëlqyer me 16 pikë, 10 kërcime dhe 10 asistime. Shkëlqeu gjithashtu edhe kapitenia Tea Memushi me 15 pikë. Te Prishtina, lojtarja më e mirë ishte Arbnore Përquku me 15 pikë. Flamurtari e mbyll këtë vit në Ligën Unike me 4 fitore dhe 1 humbje, ndërsa Prishtina me 3 fitore dhe 2 humbje.

flamurtati

TEA MEMUSHI – Për “Panorama Sport”, kapitenia Tea Memushi shprehet se objektivi i Flamurtarit mbetet edhe Liga Unike, ndërsa synon tashmë edhe Superkupën. “Na duhej kjo fitore për të treguar që edhe në këtë ligë ne qëndrojmë në krye të renditjes.

Treguam se pretendimet tona janë të larta edhe për Ligën Unike. Jam shumë e lumtur që me vajzat kemi bërë një punë të mirë në mbyllje të fazës së parë. Mendoj që mund të bëjmë edhe më shumë, prandaj premtojmë për një fazë të dytë edhe më të mirë duke e nderuar fanellën e Flamurtarit.

E veçanta e kësaj fitoreje është se na mban moralin lart edhe për ndeshjen e Superkupës, të cilën duam ta sjellim në Vlorë, për të mbyllur vitin 2021 me plotësimin e objektivave tona”, deklaroi Memushi.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"