Basket femra/ Flamurtari marshon, Partizani tjetër leksion Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2021 | 19:42

Basket femra/ Flamurtari marshon, Partizani tjetër leksion Tiranës

Flamurtari i basketbollit të femrave nuk ka ndërmend të ndalet në kampionat, teksa vijon të njohë vetëm fitore. Në javën e 12-të vlonjatet siguruan suksesin e radhës duke mposhtur në kryeqytet Studentin me rezultatin 77-40. Ndeshja e zhvilluar të shtunën në “Asllan Rusi” u kontrollua që nga fillimi e deri në fund nga bregdetaret e trajnerit Erion Hoxhaj, të cilat pas hapit fals në Kupë kërkojnë me çdo kusht fitimin e kampionatit. Lejla Omrebasiç me 20 pikë të shënuara ishte lojtarja më e mirë e ndeshjes, duke dhuruar një tjetër paraqitje bindëse për Flamurtarin.

basket femra

Te Studenti vetëm Shima (13) mundi të prekë kuotë dyshifrore në realizimin e pikëve. Pasi e eliminoi në gjysmëfinalen e Kupës, Partizanin i jep edhe leksionin e dytë në kampionat Tiranës, duke regjistruar një tjetër triumf në derbi. Skuadra e Ledina Koçit fitoi me rezultatin 105-83, në takimin e zhvilluar në “Asllan Rusi”. Pas periodës së parë të mbyllur 21-20 në favor të Tiranës, Partizani shpërtheu në të dytën duke triumfuar thellë 36-13, për të shkuar në pushimin ndërmjet dy pjesëve me avantazhin e përgjithshëm 56-34. Megjithatë, vajzat bardheblu të trajneres Mirza Alibegaj nuk dorëzohen dhe ngushtojnë në 74-70, kur kishin mbetur edhe 10 minuta nga fundi i takimit.

Por, vetëm kaq, pasi më tej është Partizani që dominon sërish, për ta fituar derbin me 22 pikë diferencë. Me 34 pikë, 8 ribaunde dhe 6 asiste, Ebi Dishnica ishte lojtarja e ndeshjes. Ndërsa tek Tirana spikati Lugaj, e cila realizoi 26 pikë. Elbasani i Enisa Qosjes (30 pikë) mori një fitore me shumë vlera për sa i përket “play off”-it, duke mundur një kundërshtar direkt si Vllaznia në shifrat 71-63. Te shkodranet shkëlqeu Dashja me 30 pikë, por që mbetet sa për statistikë. ShKB Tirana mori triumfin e dytë sezonal në kampionat, duke mundur përsëri Apoloninë e vendin të fundit me rezultatin 73-68.

1 2

E.SIKA/V.MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"