BASKET FEMRA/ Flamurtari i pandalshëm, Enisa Qosja sërish fenomenale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2020 | 20:13

BASKET FEMRA/ Flamurtari i pandalshëm, Enisa Qosja sërish fenomenale

Pas derbit Tirana-Studenti të zhvilluar të premten, java e 13-të e Kampionatit Kombëtar të basketbollit për femra zhvilloi dje tri takimet e mbetura. Flamurtari vazhdon marshimin në krye, duke ruajtur të njëjtën ecuri që nga java e parë. Vlonjatet si gjithnjë edhe këtë herë korrën suksesin e radhës me tri shifra duke mundur Elbasanin në Vlorë në shifrat 122-94.

basket femra flamurtari

Të dyja skuadrat zhvilluan një lojë shumë të bukur dhe me ritëm, por kualiteti i vendaseve bëri diferencën. Vajzat e Viron Toskës e morën kryesimin që në periodën e parë për ta ruajtur deri në fund, ndonëse Elbasani bëri gjithçka për t’i vënë në vështirësi. Për t’u veçuar ishte perioda e tretë që prodhoi një shifër të lartë pikësh (44-26 për Flamurtarin). Enisa Qosja e Elbasanit vazhdon të mahnitë me statistikat e saj të frikshme. Ajo ishte shënuesja më e mirë e ndeshjes me 57 pikë. Te Flamurtari, shkëlqeu Stojanovska me 32 pikë.

1111

Fitore treshifrore regjistroi edhe Partizani, duke mundur dje në transfertë Kamzën 58-119. Përveç periodës së parë ku Kamza bëri disi rezistencë dhe Partizani fitoi me vetëm 2 pikë diferencë 21-24, më pas takimi nuk kishte histori. Vajzat e Ledina Koçit dominuan në çdo drejtim. Perioda e dytë ishte katastrofike për Kamzën që realizoi vetëm 3 pikë, duke u mundur 3-30. Ndërsa dy periodat e mbetura u fituan 20-28 dhe 14- 37 nga të kuqet.

Falë këtij suksesi Partizani shkon në kuotën e 23 pikëve, duke përfituar më së miri nga humbja e Tiranës, për të qenë rivali kryesor i Flamurtarit. Asnjë problem edhe për Vllazninë, që fitoi dje me rezultatin 87-58 ndaj Apolonisë. Shkodranet e dominuan gjatë gjithë kohës sfidën e zhvilluar në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Vllaznia merr kështu një triumf shumë të rëndësishëm dhe vazhdon betejën për një vend në zonën “play off”.

basket femra

E.Gabaj/A.Dushku/S.Nikshiqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"