BASKET FEMRA/ Flamurtari fiton Superkupën e 14-të, Partizani “KO”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 20, 2022 | 9:58

BASKET FEMRA/ Flamurtari fiton Superkupën e 14-të, Partizani “KO”

Flamurtari është skuadra fituese e Superkupës së Shqipërisë në basketboll për femra për vitin 2022. Vlonjatet e trajneres Elona Hasanaj mundën në finalen e djeshme Partizanin 89- 82, duke regjistruar kështu trofeun e 14-të (rekord) në këtë kompeticion.

320231406_539535824752147_6359802838256884212_n

Sfida e zhvilluar në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” foli për vajzat bregdetare, të cilat ishin gjatë të gjithë kohës në avantazh dhe arritën që të mbronin epërsinë deri në fund me gjithë përpjekjet e Partizanit.

NDESHJA – Në këtë finale përballeshin dy skuadrat që kanë edhe numrin më të lartë të lojtareve të huaja, Flamurtari me 5 dhe Partizani me 4. Takimi nisi me rivalitet, me periodën e parë që u fitua nga vlonjatet 21-18. Në çerekun e dytë Flamurtari preku edhe avantazhin më të lartë në këtë takim, duke kryesuar 37-22, por në fund të këtij fraksioni Partizani e redukton diferencën, me ekipet që shkojnë në pushim në shifrat 39-33 për bregdetaret. Pjesa e dytë vijon me luftë të fortë sportive, ndërsa pas 30 minutash rezultati shënon 58-53. Të kuqet e Eliverta Bujarit provojnë deri në fund, ndërsa perioda e katërt ka një rendiment të lartë në sulm nga të dyja ekipet, por Flamurtari e mbron epërsinë dhe del me triumf nga finalja. Në fund ka vend për festën vlonjate me kapitenen Tea Memushi që ngre lart trofeun. Por nuk mungojnë as incidentet. Amerikania Jomyra Mathis e Partizanit shpërtheu në lot teksa futej në dhomat e zhveshjes, duke pretenduar se ishte ofenduar nga stafi i Flamurtarit. Kjo gjë solli edhe një konfrontim gati fizikisht, por me ndërhyrjen e përfaqësuesve të FSHB-së, situata më pas u qetësua.

TEA MEMUSHI – Kapitenia e Flamurtarit, Tea Memushi, teksa i gëzohet fitores së Superkupës, thekson se lufta për trofetë e tjerë këtë vit do të jetë edhe më e fortë. “Jam e lumtur që edhe ky trofe u bë yni. Ne punojmë jashtëzakonisht shumë për çdo detaj gjatë stërvitjeve dhe përmbyllja me trofe është lumturi e pastër. Dua të përgëzoj edhe Partizanin, i cili pa diskutim është një kundërshtar shumë dinjitoz dhe siç shihet rivaliteti ynë do të vazhdojë gjatë për çdo trofe. Kemi objektiva maksimalë në çdo trofe. E dimë që asgjë nuk do të jetë e lehtë, as në kampionat as në Ligën Unike. Një gjë është e sigurt, se ndeshjet këtë vit do të jenë edhe më të bukura. Dhe fitorja e trofeve të tillë të shijon më shumë”, deklaroi kapitenia Memushi.

Mund të jetë një imazh i 7 persona, njerëz në këmbë dhe ambiente të brendshme

ROLAND GJINI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"