Basket dhe volej, ja ekipet më të mira të dekadës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2020 | 21:14

Basket dhe volej, ja ekipet më të mira të dekadës

Lojërat me dorë në Shqipëri (basketbolli dhe volejbolli) ulën siparin e një dekade mes shumë problemesh dhe vështirësish e tashmë janë gati për të filluar një dekadë të re, atë të viteve 2020. Por, ndonëse vështirësitë kanë qenë të shumta, si për sa i përket anës financiare ashtu edhe infrastrukturës, sporti nuk është ndalur dhe sigurisht që ka prodhuar ndeshje mjaft të bukura dhe me rivalitet.

ballk-770x470

Por, le të kthehemi edhe një herë te dekada që sapo lamë pas, vitet 2010-2019, për të parë se cilat janë skuadrat që kanë dominuar. Ajo që bie në sy është se të gjitha ekipet të cilat kanë arritur të triumfojnë, janë ato skuadra ku është investuar.

Basketbolli i meshkujve

Ndonëse kohët e fundit ka qenë Durrësi epiqendra e sportit të koshit për meshkuj, 10-vjeçari që lamë pas është dominuar nga skuadra e Tiranës. Bardheblutë që po kalojnë vitin e dytë radhazi mes shumë vështirësive financiare, kanë arritur të fitojnë 5 kampionate në vitet 2010-2019. Kryeqytetasit me boshtin Karaj (tashmë trajner)-Shima-Vogli të cilët vijojnë të japin edhe sot kontributin e tyre për fanellën e Tiranës, pa harruar edhe Endrit Hysenagollin (aktualisht pjesë e Teutës) kanë bërë ligjin në Superligë.

bASKET MESHKUJ

Ekipi i dytë që ka fituar më shumë tituj në këtë hark kohor, është Vllaznia. Shkodranët kanë triumfuar 3 herë, ku janë shpallur kampionë të Shqipërisë në vitet 2014, 2015 dhe 2016. Nga një titull kampion regjistrojnë edhe Kamza (2013) e Goga Basket (2019, i pari në histori për ekipin privat nga Durrësi).

Ndërsa skuadrës më të titulluar shqiptare, Partizanit, vazhdon t’i mungojë kampionati që prej vitit 1996. Gjithashtu, kjo periudhë do të mbahet mend edhe për paraqitjen e Teutës në Ligën Ballkanike, ku durrsakët vjet shkuan deri në finale, duke u bërë skuadra më e suksesshme shqiptare në këtë kompeticion.

Basketbolli i femrave 

Ashtu sikurse sezoni aktual, edhe dekada e kaluar në basketbollin e femrave është luajtur nën diktatin e plotë të Flamurtarit. Vlonjatet e trajnerit Viron Toska janë treguar të jashtëzakonshme, teksa kanë arritur të shpallen kampione plot 8 herë. Një dominim absolut i tyre, ndërsa 2 titujt e tjerë janë fituar nga Apolonia në vitin 2012 dhe SHKB Tirana në edicionin e kaluar.

Flamurtari-Tirana-basket

Por, kryeqytetaset, edhe pse rikthyen titullin kampion në Tiranë pas 20 vitesh mungesë, këtë sezon nuk u regjistruan në kampionat për shkaqe financiare (bashkia mbështet financiarisht SHB Tiranën, skuadër e krijuar dy sezone më parë).

Volejbolli i meshkujve

Siç ka ndodhur në vitet 2000, edhe në vitet 2010 është skuadra e Studentit ajo që regjistron më shumë tituj kampionë. Ndonëse prej disa sezonesh nuk po kalon një periudhë të mirë, duke mos mundur të jetë mes ekipeve pretendente, Studenti nën drejtimin e trajnerit Ylli Tomorri është shpallur 6 herë kampion në 10-vjeçarin e kaluar.

maxresdefault

Nga një titull kanë arritur Teuta (në vitin 2011), Vllaznia (në vitin 2017, i pari në histori për shkodranët), Erzeni (në vitin 2018) dhe Partizani (në vitin 2019, u rikthye kampion pas 38 vitesh). Gjithashtu, dekada e kaluar do të mbahet mend edhe për euroderbin e parë në historinë e volejbollit shqiptar, ku për ironi të fatit shorti vendosi përballë në Kupën “Challenge” Partizanin dhe Erzenin, me shijakasit që i fituan të dyja takimet pastër 3-0, për t’u eliminuar në raundin pasardhës nga italianët e Allianz Milanos.

Volejbolli i femrave 

Skuadra më e suksesshme e dekadës në sportin e rrjetës për femra është Barleti Volej. Universitaret nën drejtimin e trajnerit Hasan Gurabardhi janë ngjitur për 4 sezone në shkallën më të lartë të podiumit në volejbollin e femrave. Një ekip privat i ndërtuar për të fituar që i ka dhënë tonin kampionatit për disa vite me radhë. Gjatë 10-vjeçarit të shkuar kanë arritur të triumfojnë nga dy herë edhe ekipet e Tiranës (2010, 2013), Minatorit (2011 dhe 2012, titujt e parë në histori për skuadrën mirditore) dhe Partizanit (2018, 2019).

volejboll-femra-770x470 (1)

Partizani disa muaj më parë mori pjesë edhe në Ligën e Kampioneve, ku arriti të kalonte edhe një raund, teksa mposhti në të dyja ndeshjet kampionet e Bosnjë-Hercegovinës, Jedinstvo Brçko. Më pas të kuqet u eliminuan nga hungarezet e Vashash Budapestit. Aventura e tyre vijoi në Kupën CEV, ku edhe aty u mundën dy herë nga ekipi spanjoll La Laguna.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"